Pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë (dhe jo vetëm) për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë, ka reaguar Ambasada Amerikane.
Në një njoftim në faqen zyrtare, ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin tubimet e mëdha, pasi demonstratat mund të përhapen edhe në zonat e tjera të vendit.
“Ambasada ka marrë raporte për protestën që ndodhi përpara zyrave qeveritare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Raportet tregojnë se disa protestues kanë hedhur objekte në drejtim të policisë dhe disa efektivë u plagosën. Efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të kontrolluar turmën. Qytetarët amerikanë duhet të shmangin tubimet e mëdha, pasi demonstrata të ngjashme mund të përhapen në zona të tjera. Personeli i ambasadës amerikane dhe anëtarët e familjes janë këshilluar të shmangin të gjithë vendet, ku demonstratat janë të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Po kështu, Ambasada Amerikane në Tiranë shton:
“Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të afërta ose të vazhdueshme. Monitoroni mediat lokale për përditësime”.
Top Channel