Mbrëmjen e 22 nëntorit, në qendrën e kryeqytetit, më konkretisht në sheshin “Skënderbej”, u zhvillua ceremonia e ndezjes së dritave të pemës, e cila shënjon afrimin e festave të fundvitit.
Në mes të fotove të realizuara gjatë kësaj ceremonie, gjendeshin ato të fëmijëve të pedagogut Arlind Qori. Vetë pedagogu u shpreh i trishtuar për këtë fakt, e “mllefin” e tij e shprehu me anë të një statusi në rrjete sociale. Ndërsa këtë të hënë, ai ishte i ftuari i gazetarit Denis Dyrnjaja, në emisionin “Top Talk”, për të rrëfyer më shumë detaje, rreth kësaj dinamike. Qori theksoi se nuk e mendonte kurrë që dikush do të keqpërdorte fotot e fëmijëve të tij pa lejen e vetë atij apo të bashkëshortes. Pedagogu tregoi se ky fenomen ndodh rëndomtë në politikë, e këtë ai e cilësoi si shkelje të rëndë të etikës. Ndër të tjera ai tha, se duke marrë parasysh krimet e mëdha që sipas tij ka bërë kryeministri Rama dhe të tjerë politikanë, të tilla situata mund të konsiderohen si probleme “të dorës së tretë”.
“Nuk e mendoja kurrë që një ditë do të ndodhte që fotot e fëmijëve të mi, t’i keqpërdorte pa lejen time, pa lejen e bashkëshortes time kryeministri i vendit. Mesa kuptoj unë ai e ka zakon këtë punë, ashtu siç e kanë zakon pushtetarët në Shqipëri këtë punë që të keqpërdorin pa lejen e prindërve imazhet e fëmijëve. Ndoshta u mbushet mendja kësisoj u bëjnë nderë dhe vetë fëmijëve. Mua dje në darkë më njoftojnë miqtë e mi që kjo gjë ka ndodhur edhe ishte e pabesueshme. Si mund të arrijë njeriu të përdorë politikisht fëmijët në përgjithësi, por mbi të gjitha fëmijët e tjerëve. Kjo më duket e pa përfytyrueshme nga pikëpamja njerëzore, një minimum i etikës të çdo qenie njerëzore. Kuptova më pas kjo gjë është rutinë. Ajo që e bën edhe më problematike situatën Edi Rama mendon duke e bërë këtë gjë rëndomtë se mbase po i bën qejfin prindërve, fëmijëve, ka një të tillë përçmim për njeriun e zakonshëm sa që mendon duke bërë diçka të tillë është duke u bërë nderë fëmijëve, kjo është më e rëndë. Unë vetë nuk kam postuar asnjëherë fotot e fëmijëve të mi në rrjete sociale, nuk kam dashur kurrë të cënojë këtë lloj privatësie. E kam bërë vetëm mbrëmë, për të denoncuar këtë akt që e konsideroj mjaft të rëndë nga pikëpamja etike. Jam i mbushur me një revoltë, por nga ana tjetër mendoj që zoti Rama e të tjerët si ai kanë aq shumë faj dhe krime në dorën e tyre sa që kjo është një gjë e dorës së tretë krahasuar me dëmet e mëdha që i kanë bërë vendit dhe që një ditë duhet të japin llogari”, tha Qori.
Top Channel