Austria, sipas Reuters, po përgatitet për mbylljen e shkollave dhe ashpërsimin e mëtejshëm të masave që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Një vendim përfundimtar për këtë pritet të merret ditën e shtunën. Thuhet se dyqanet e vogla mund të vazhdojnë të qëndrojnë hapur, por jo qendrat tregtare ku ka grumbullime të mëdha njerëzish. Qeveria austriake njoftoi përpara pak kohësh një sërë masash të reja që përfshinin ndalimin e qarkullimit nga ora 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit. Po kështu shërbimi i bareve dhe restoranteve do të ishte vetëm “merr me vete”, e do të mbylleshin edhe palestrat dhe muzetë.
Kancelari Sebastian Kurz shpjegoi se nuk e pati të lehtë marrjen e një vendimi të tillë, por shtoi se ai ishte i domosdoshëm. Vendi thuhet që të ketë mbërritur një nivel rekord prej më shumë se 9.500 infektimesh në ditë, çka shton trysnin mbi kapacitetet spitalore. Austria nuk është vendi i vetëm europian që po përballet këto ditë me një shtim të rrufeshëm të rasteve. Franca ka rikthyer dhe ajo në masë të madhe izolimin, e Britania gjithashtu. Greqia ka njoftuar edhe ajo në karantinë të pjesshme dhe Belgjika i është rikthyer masave të izolimit kombëtar pasi shifrat treguan se kishte nivelin më të lartë të infektimeve ne Europë.
Top Channel