“Diego është mirë”. Fjalët e mjekut bëjnë që tifozët e Maradonës jashtë klinikës, ku i është nënshtruar ndërhyrjes, dhe në të gjithë botën të gëzohen pa masë
Operacioni në kokë, për të shmangur komplikimet e mëtejshme nga një mpiksje gjaku në tru, ka përfunduar me sukses të plotë. Të gjithë mund të marrin frymë lehtësisht për shëndetit e “El Pibe de Oro”. Legjenda e futbollit argjentinas qëndroi në sallën e operacionit rreth një orë e gjysmë, koha e nevojshme për të hequr edemën që u zbulua nga ekzaminimet mjekësore të kryera të martën pasdite.
“Operacioni ishte krejt i suksesshëm”, – garantoi Leopoldo Luque, mjeku personal i Maradonës, i cili e kreu vetë operacionin. – “Hematoma e pranishme midis kafkës dhe indit të trurit është hequr pa ndonjë ndërlikim dhe pacienti është tashmë i zgjuar dhe i kthjellët”, – siguroi neurokirurgu disa orë pas operacionit të kryer nën ndikimin e anestezisë së përgjithshme.
Në fillim, u mendua se Maradona do të ishte transferuar në kujdesin intensiv për të monitoruar reagimet dhe zgjimin nga anestezia, e cila është veçanërisht delikate në një pacient me një pamje klinike të komplikuar, si e tij. Por Maradona është zhvendosur tashmë në dhomën e tij.
“Diego është ende nën vëzhgim të rreptë”, – paralajmëron specialisti. – “Në një person të dobësuar si ai, është e rëndësishme të jesh veçanërisht i kujdesshëm”.
Top Channel