Debati për Buxhetin 2021/ BSH: Qeveria të bëjë kujdes me programin e shpenzimeve të planifikuara

02/11/2020 15:26

Qeveria duhet të bëjë kujdes me programin e shpenzimeve të planifikuara në projektbuxhetin 2021.

Sugjerimi vjen nga Banka e Shqipërisë, e cila gjatë dhënies së opinionit mbi këtë draft  bëri apel për prioritizim të projekteve që ndihmojnë ekonominë, teksa shtoi si domosdoshmëri rritjen e fondeve të kontigjencës për amortizimin e efekteve të pandemisë.

Luljeta Minxhozi: Pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave. Në këtë drejtim, ne sugjerojmë se një hap pozitiv do të ishte rritja përtej niveleve aktuale e fondeve kontingjente në buxhet apo identifikimi paraprak i shpenzimeve jo-prioritare, realizimi i të cilave duhet të kushtëzohet me realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave.

Vëmendje të shtuar banka qendrore kërkoi edhe ndaj kontratave koncesionare, të cilat sipas saj duhet të miratohet brenda një kornize që bën të mundur vendosjen e prioriteteve lidhur me investimet publike.

Projektbuxheti i vitit 2021 merr parasysh rreziqet që burojnë nga zgjerimi i projekteve të partneritetit publik-privat (PPP), duke vendosur kufi mbi vlerën totale të këtyre projekteve dhe duke detajuar shpenzimet e lidhura me to brenda vitit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë sugjeron vlerësimin e mundësisë së përfshirjes së një kufiri të sipërm të përgjithshëm mbi vlerën totale të PPP-ve në raport me PBB-në në Ligjin Organik të Buxhetit.

Banka Qendrore vlerëson se ekonomia do t’i kthehet rimëkëmbjes vitin e ardhshëm, ndërsa shton se është e gatshme të ndërhyjë më masa emergjente në rast të një zgjatje në kohë të pandemisë.

Top Channel