Trump: Irani është në prag kolapsi financiar. Ekspertët: Presidenti po blen kohë

22/04/2026 11:42

Donald Trump është i bindur se Iranit po i shterojnë burimet financiare.

Nuk kanë më para, prandaj duan që Ngushtica e Hormuzit të hapet menjëherë. Po humbasin 500 milionë dollarë në ditë. Ushtarët dhe policia iraniane ankohen se nuk po paguhen”, ka shkruar ai në Truth Social.

Komentet erdhën pak pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë vendosi t`i japë Republikës Islamike më shumë kohë për një zgjidhje përmes negociatave dhe e zgjati në mënyrë të papritur armëpushimin. Trumpi këtë e bëri të ditur vetë po përmes Truth Social, ku sqaroi se me kërkesë të Pakistanit ai nuk do të japë urdhër për sulme derisa udhëheqja iraniane të paraqesë një propozim dhe bisedimet të përfundojnë. Toni në këtë postim ishte dukshëm më i butë: pa kërcënime të reja, pa fyerje, ndërkohë që vetëm një ditë më parë kishte paralajmëruar se ushtria ishte gati për veprim nëse nuk do të arrihej një marrëveshje. “Nuk kemi shumë kohë,” tha Trump për kanalin CNBC.

“Unë supozoj se do të bombardojmë, pasi kjo është një pikënisje më e favorshme.” Sipas tij, ushtria mezi pret të ndërhyjë. Megjithatë në një nga pengesat kryesore për bisedimet nga këndvështrimi iranian, Trump nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të vazhdojë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë botërore, për anijet që vijnë nga portet iraniane ose që janë në drejtim të tyre.

Analistët mendojnë se me zgjatjen e armëpushimit, Trump në fakt po blen kohë për një arritjen e një marrëveshjeje paqeje më të qëndrueshme, teksa një zgjidhje e shpejtë e këtij konflikti, sipas BBC, për momentin duket e paarritshme.

Top Channel