Pas deklaratës së komisionerit evropian të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, i cili përsëriti sot idenë e përcjellë një ditë më parë, që përpara rivotimit të Kodit Zgjedhor në parlament, të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, ka reaguar presidenti Ilir Meta.
Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se shpreson që këto thirrje të dëgjohen nga Parlamenti deri të enjten.
“Falenderoj miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta. Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten. Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, në 25 prill 2021. Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe sëbashku! Në 25 prill 2021, do fillojë EPOKA E RE E SUNDIMIT TË POPULLIT, që do të sjellë edhe SUNDIMIN E LIGJIT në Shqipëri”.
Përmes Twitter-it, më herët komisioneri për Zgjerimin shkroi:
“I kënaqur që kryeministri e mirëpret opinionin e Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese të korrikut. Do të ishte e matur që të pritej dorëzimi i tij përpara rivotimit në parlament. Pres zgjedhje të lira e të ndershme në prill të 2021-shit”.
Top Channel