Teksa greva e naftëtareve gra shënon sot ditën e 12-të të saj, ku gjendja shëndetësore e tyre sa vjen dhe rëndohet, presidenti i Republikës, Ilir Meta e nisi komunikatën e tij të përjavshme me një apel ndaj qeverisë, naftëtarëve dhe grevisteve gra.

“Dua ta nis me një apel për qeverinë, por edhe për grevistet, edhe për naftëtarët për të deleguar sa më parë për një zgjidhje sa më të pranueshme, sa më të arsyeshme, pa u shkallëzuar kjo situatë me pasojë për shëndetin e grevisteve dhe të grevistëve. Është e rëndësishme të bëhet çdo përpjekje për një trajtim të përgjegjshëm shtetëror dhe njerëzor të kësaj situate të rëndë sociale dhe humanitare, para se të kemi probleme me shëndetin e tyre”, u shpreh Meta.

Sakaq këtë të hënë ishte parashikuar që të mblidheshin qytetarë dhe punëtorë të uzinës në një protestë, për t’u dhënë zë kërkesave të grevistëve si dhe për të bërë publike hapat e tjerë që do të ndërmerren.

Një prej grevistëve ka kërkuar sot reagimin e kryeministrit Rama.

“Presim që kryeministri të reagojë. Pastaj futem për negociatat për uzinën. Duam më shumë sensibilizim, dhe mbështetje. Populli është uragan. Edhe gjendja shëndetësore po bëhet kritike, nuk dalim nga greva”, ka deklaruar para mediave një nga gratë greviste.

Grupi organizator i protestës ka shkuar pranë ambientit ku rrinë gratë naftëtare dhe ka bërë thirrje për mbështetje.

“Duke mos pasur  asnjë reagim nga shteti, unë mendoj se duhet të mbështesim çdo ditë këto nëna heroine. Kauza jonë është e pandryshuar, pagesat e prapambetura dhe rifillimi i punës. Kryeministri duhet të vijë në takim me ne, me një përgjigje konkrete”, tha një prej protestuesve.

Grevistet kanë deklaruar se nuk kanë besim te propozimi i kryeministrit, i cili u ka thënë që të dalin nga greva dhe me pas të negociojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA