Vendimi i administratës së Presidentit Trump për të zvogëluar numrin e punëtorëve të huaj të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara disa javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit hedh më shumë dritë në pjesën e debatueshme të furnizimit të vendit me krah pune, thotë Zëri i Amerikës.
Disa ligjvënës kanë bërë thirrje për reformimin e këtij programi për një dekadë ose më shumë. Bëhet fjalë për vizat H-1B që lejojnë kompanitë të punësojnë përkohësisht punëtorë të huaj në fusha të specializuara. Rregullat e publikuara në fillim të këtij muaji nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare kufizojnë punët, për të cilat mund të lëshohen vizat H-1B duke e bërë më të ngushtë përkufizimin e “profesionit të specializuar” që e kualifikon punësimin e një punëtori të huaj.
Rregullat e lëshuara nga Departamenti amerikan i Punës, ndërkohë, rrisin me 30 përqind mëditjet dhe pagat minimale që punëdhënësit amerikanë duhet të paguajnë punëtorët e huaj.
“Në përgjithësi, rregullat po përpiqen ta bëjnë më të vështirë për punëtorët e huaj të specializuar për të marrë viza dhe leje pune duke e e shtuar barrën e kompanive që i sponsorizojnë ato”, tha avokatja e imigracionit, Rosanna Berardi për VOA-n.
Rritja e kostos së fuqisë punëtore të importuar i bën punëtorët vendas më tërheqës. Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara qëndroi në nivelin 7.9 përqind në shtator, nga gati 15 përqind që ishte në prill, por ende shumë më e lartë se niveli 3.5 përqind i regjistruar para shpërthimit të pandemisë së Covid-19 në Amerikë.
Top Channel