U nda nga jeta tragjikisht në moshën 36-vjeçare, zbulohet shkaku i vdekjes së aktores së njohur amerikane Hayden Panettiere

22/09/2026 17:29

Aktorja 36-vjeçare ndërroi jetë më 16 gusht në apartamentin e saj në Karolinën e Jugut. Mjeku ligjor e cilësoi vdekjen aksidentale, ndërsa policia tha se nuk ka prova për veprimtari të paligjshme.

Shkaku i vdekjes së aktores amerikane Hayden Panettiere është konfirmuar si pasojë e efekteve toksike të fentanilit dhe disa substancave të tjera, sipas zyrës së mjekut ligjor të qarkut Greenville në Karolinën e Jugut.

Mjekët ligjorë deklaruan se në trupin e 36-vjeçares u gjetën gjurmë të fentanilit, 4-ANPP, alprazolamit, metokarbamolit dhe quetiapinës. Sipas tyre, nuk kishte shenja traume, ndërsa mënyra e vdekjes është përcaktuar si aksidentale.

Edhe Departamenti i Policisë së Greenville konfirmoi se hetimi paraprak nuk ka evidentuar shenja të një vepre të paligjshme apo rrethana të dyshimta.

Panettiere u gjet pa ndjenja më 16 gusht në apartamentin e saj në Karolinën e Jugut, ku ndodhej së bashku me të dashurin e saj, Brian Hickerson, dhe vëllain e tij, Zach Hickerson. Sipas policisë, një i njohur i aktores telefonoi shërbimet e emergjencës.

Një oficer policie që mbërriti në vendngjarje raportoi se pa paramedikët duke i kryer CPR një gruaje që nuk reagonte. Oficeri tha gjithashtu se në momentet e para nuk u vu re ndonjë shkak i dukshëm fizik që shpjegonte gjendjen e saj.

Lajmi për vdekjen e Panettiere u shoqërua me reagimin e familjes së saj. Babai i aktores, Skip Panettiere, e përshkroi të bijën si një person që u kishte sjellë dashuri dhe gëzim njerëzve që e njihnin dhe miliona fansave që e kishin ndjekur në ekran.

Hayden Panettiere nisi të aktrojë që në moshë shumë të vogël dhe u bë e njohur për publikun ndërkombëtar përmes roleve në serialet “Heroes” dhe “Nashville”.

Për interpretimin e këngëtares së muzikës country Juliette Barnes në “Nashville”, ajo mori dy nominime për Golden Globe. Në karrierën e saj përfshihen gjithashtu filmat “Scream 4” dhe “Scream VI”.

Në vitin 2014, Panettiere u bë nënë e një vajze, Kaya, të cilën e pati me ish-të fejuarin e saj, boksierin ukrainas Wladimir Klitschko.

Aktorja kishte folur publikisht edhe për vështirësitë e saj me depresionin pas lindjes, ankthin dhe varësinë nga substancat. Në intervista të mëparshme ajo kishte përshkruar rrugëtimin e saj drejt rikuperimit dhe kishte folur për përpjekjet për të rindërtuar marrëdhënien me vajzën e saj.

Top Channel