Kishin planifikuar një sulm terrorist ndaj komunitetit hebre në veri të Anglisë, arrestohen dy persona në Mançester

22/09/2026 19:33

Autoritetet britanike kanë arrestuar dy burra në Mançester, të dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist ndaj komunitetit hebre në veri të Anglisë.

Policia tha se të dyshuarit, rreth të 30-ave, u arrestuan të dielën në qendër të Mançesterit. Në të njëjtën kohë, forcat e sigurisë zhvilluan kontrolle në banesa në Salford dhe Liverpool, në kuadër të hetimit.

Sipas Vicky Evans, koordinatores së lartë kombëtare të shërbimit britanik kundër terrorizmit, bëhet fjalë për një hetim afatgjatë dhe parandalues, i cili çoi në arrestimin e dy të dyshuarve.

Hetuesit vlerësojnë se aktualisht nuk ka një kërcënim të menjëhershëm apo të vazhdueshëm për publikun. Megjithatë, masat e sigurisë mbeten të shtuara në zonë.

Policia e Mançesterit të Madh ka shtuar patrullimet pranë sinagogave dhe vendeve të tjera ku mblidhet komuniteti hebre, ndërsa afrohen festat kryesore fetare.

Autoritetet kanë theksuar se shqetësimet për sigurinë mbeten të larta pas një sulmi të vitit të kaluar ndaj një sinagoge në qytet, ku dy persona u vranë. Sipas autoriteteve, sulmuesi ishte një shtetas britanik me origjinë siriane dhe kishte pretenduar se vepronte në emër të Shtetit Islamik.

Top Channel