Numri i rasteve me Covid -19 në Greqi gjatë 24 orëve të fundit ka shënuar rekord prej fillimit të pandemisë pasi Organizmi Kombëtar i Shëndetsisë ka deklaruar 453 të prekur.

Prej tyre 174 janë gjetur vetëm në periferinë e Athinës dhe 184 në kampin e ri të refugjatëve në Mori atë Lesvos, ndërsa 25 persona janë gjetur pozitive gjatë kontrolleve në pikat e hyrjes në vend si portet, aeroportet apo kufijtë tokësore.

Tetë raste janë regjistruar edhe në një prej manastireve të Malit të Shenjtë dhe menjëherë është vendosur sistemi i karantinës. Kështu numri i përgjithshëm i rasteve në Greqi shkon në 15 595, ndërsa numri i personave në terapi intensive ka shkuar në 79 vetë. Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën edhe 6 persona dhe numri i përgjithshëm i vdekjeve nga virusi ka shkuar në 344.

Ndërkohë qeveria greke ka miratuar masa të reja për 14 ditët në vazhdim sidomos për periferinë e Athinës në të cilën u regjistruan mbi 1000 raste brenda javës së fundit. Kështu deri në datën 4 tetor nuk do të lejohen më shumë se 9 persona të mbledhur bashkë në ambiente të mbyllura, por edhe të hapura, masë kjo që parandalon mbledhjen e të rinjve kur mbyllen klubet pas orës 12, në sheshe të ndryshme të qyteteve të mëdha.

Gjithashtu në dasma, pagëzime apo vdekje nuk do lejohen më shumë se 20 persona . Në periferinë e Athinës në sektorin privat dhe shtetëror 40% e personelit do të punojë nga shtëpia, ndërsa oraret e punës do të jenë të përshkallëzuara. Këshillohen gjithashtu personat mbi 65 vjeç të minimizojnë lëvizjet dhe daljet nga shtëpia, si dhe kontaktet me persona të tjerë të rrethit familjar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA