Ish-Presidenti Barack Obama dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris, janë në krye të një liste emrash të njohur demokratë që do të flasin në Kuvendin virtual të kësaj partie të mërkurën në mbrëmje. Dy netët e kaluara, një numër përkrahësish të kandidatit demokrat për president Joe Biden, përfshirë disa republikanë të njohur që kanë dalë kundër Presidentit Donald Trump, kanë shprehur mbështetjen për demokratin 77 vjeçar dhe e kanë karakterizuar presidencën e zotit Trump si kaotike dhe të paqëndrueshme.
Sulme të mëtejshme ndaj tij priten natën e tretë, ndërsa demokratët po përpiqen të bindin elektoratin amerikan se kishte gabuar me zgjedhjen e Presidentit Trump në vitin 2016 dhe se zoti Biden do të ndryshojë frymën aktuale të politikës amerikane dhe angazhimin me aleatët. 55 vjeçarja Harris, do të mbajë fjalimin e saj më të rëndësishëm politik, pasi shërbeu për vite si prokurore në Kaliforni, para se të zgjidhej senatore në vitin 2016.
Zonja Harris, e bija e një nëne nga India dhe një babai nga Xhamaika, është e para grua afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane, kandidate për Nënpresidente për një nga partitë kryesore. Ajo do të flasë nga Delauer, shteti i zotit Biden, i cili po ashtu do të flasë nga ky shtet të enjten në mbrëmje, për të pranuar emërimin e partisë së tij.
Zoti Biden shërbeu si Nënpresident për Presidentin Obama për tetë vjet, para se zoti Trump të fitonte ndaj ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton në zgjedhjen e vitit 2016. Për pjesën më të madhe të presidencën së zotit Trump, zoti Obama nuk i është përgjigjur sulmeve të shpeshta të pasardhësit të tij në Twitter. Por kur zoti Biden u bë kandidati i demokratëve, ai shprehu me forcë mbështetjen për ish-zëvendësin e tij duke kritikuar presidentin Trump.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, zoti Biden ka bërë kryesisht fushatë në mënyrë virtuale, ose me grumbullime të vogla në Delauer dhe qytetin e Filadelfias në Pensilvani. Folës të tjerë të mërkurën në Kuvendin e demokratëve, janë zonja Clinton si edhe dy kritike të ashpra të zotit Trump, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe senatorja progresiste Elizabeth Warren nga Masaçusets, që ishte kandidate brenda partisë për presidente.
Top Channel