Një sasi prej 26 kg marijuanë në formë çokollate është sekuestruar nga policia në pikën e kalimit kufitar në portin e Durrësit.
Tre persona përfunduan në pranga, dy shoferët e autobusit dhe menaxheri. Gjatë kontrollit të një autobusi që shkonte drejt Italisë, sasia e lëndës narkotike u konstatuan brenda një kove me bulmet.
Njoftimi i policisë:
Port/Durrës
Kontrolle të shtuara, si në dalje dhe në hyrje, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë.
Policia Kufitare parandalon një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.
Sekuestrohen rreth 26 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit mariuanë në formë çokollate.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i masave të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasit:
S.D., 31 vjeç, banues në Durrës (menaxher);
S.S., 59 vjeç, banues në Përmet (shofer);
Y.K., 49 vjeç, banues në Tiranë (shofer);
Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe analizës së rriskut të bërë nga Policia Kufitare, u kalua për kontroll të detajuar në vijën e dytë, një autobuz që kryente linjën Durrës-Itali.
Gjatë kontrollit në një kovë me bulmet, u konstatuan brenda saj pako me lëndë narkotike.
Menjëherë janë njoftuar Specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Durrës, ku pas kontrollit te imtësishëm u gjet dhe u sekuestruan një sasi rreth 26 kg lëndë narkotike mariuanë, në formë çokollate.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për hetimin e narkotikëve, u bë arrestimi i dy shoferëve të autobusit dhe i menaxherit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 1 automjet si dhe 6 aparatë celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel