Komiteti për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, vendosi që Spitalin e Vushtrrisë ta shndërrojë tërësisht në spital për pacientët e sëmurë me COVID-19.
“Spitali i Vushtrrisë shumë shpejt do të pranojë pacientët nga qyteti i Mitrovicës, qyteti i Vushtrrisë dhe rrethinat e tyre… Pacientët që kanë nevojë për shërbime të tjera jo të natyrës së kësaj sëmundjeje, do t’i marrim në Spitalin e Mitrovicës. Ndërkohë, edhe personeli shëndetësor do të ristrukturohet në harmoni me këtë qëndrim”, deklaroi Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Ai po ashtu tha se është marrë vendim që, në kuadër të planifikimeve për shtimin të numrit të shtretërve, një kat i Klinikës së Neurologjisë në QKUK me 60 shtretër, do të vihet në dispozicion për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Aktualisht, sipas Krasniqit, në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet rajonale janë duke u trajtuar rreth 450 pacientë me koronavirus. Që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus në 13 mars, në Kosovë janë regjistruar deri tani 5,118 të infektuar e 108 viktima nga Covid 19.
Top Channel