Sipas një raporti të ri tronditës, shkencëtarët kinezë gjetën fshehurazi një lloj virusi të ngjashëm me COVID-19, në një minierë të braktisur në vitin 2013, por e mbajtën sekret zbulimin.
Një hetim i gazetës britanike “Sunday Times” pretendon se “lloji” më i afërt me koronavirusin u zbulua në një minierë të infektuar nga lakuriqët e natës dhe minjtë në vitin 2013 dhe ishte ruajtur për vite me radhë në një laborator virologjie në Wuhan.
Zbulimi i një “lloji” të COVID-19, shtatë vjet më parë në minierën e bakrit në jug-perëndim të Kinës, thuhet se është “plumbi” më i fortë në kërkimin të origjinës së pandemisë. Virusi u gjet pasi gjashtë burra u prekën në vitin 2012 nga ethet, kolla dhe pneumonia, ku gjysma e tyre vdiqën, pas punimeve në galerinë e minierës.
Raporti thotë se katër nga burrat u testuan pozitivë për antitrupat koronavirus – por dy vdiqën para se të kontrollohen. Mjekja kineze Shi Zhengli – me nofkën “Gruaja lakuriq” nga kolegët e saj në Institutin e Virologjisë Wuhan – në shkurt ishte bashkëautore e një shkrimi të gjerë akademik për koronavirusin.
Përveç dhënies së një përshkrimi të plotë gjenetik të virusit, punimi i mjekes Shi Zhengli (56) botuar në revistën “Nature”, zbuloi se Instituti i Virologjisë në Wuhan po strehonte një mostër të lakuriqëve të natës të quajtur RaTG13, duke thënë se përputhej 96.2 përqind me COVID-19.
Por një nga kolegët e saj, pretendoi se mostra RaTG13 u gjet në minierë në vitin 2013, por informacionet për virusin simotër nuk u ndanë. Presidenti i SHBA-së Donald Trump në prill tha se ai kishte një “nivel të lartë besimi” që COVID-19 erdhi nga Instituti i Virologjisë Wuhan pasi kishte prova.
“Ne do të shohim se ku është – ne do të shohim se nga vjen. Ka shumë teori. Kina madje mund të na tregojë,” pati deklaruar ai.
Trump njoftoi në qershor se do të ndalojë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) për trajtimin e koronavirusit. Pas presionit të fundit nga OBSH, Kina do të fillojë një hetim mbi pretendimet se virusi mund të kishte dalë nga laboratori Wuhan, shkruan gazeta britanike.
Instituti në Wuhan, laboratori më i madh i sëmundjeve infektive në botë, dyshohet se ka kryer eksperimente me rrezik të lartë për të rritur infektivitetin e koronavirusit, në një përpjekje për të kuptuar mekanizmat që mund të shkaktojnë një pandemi. Gazeta britanike shkruan se studiuesit mblodhën qindra mostra të koronavirusit nga rajone të largëta të Kinës dhe i kthyen në qytet.
Sidoqoftë, Instituti Wuhan pretendon se eksperimentet ishin shtyrë, pasi ata nuk besonin se virusi ishte “një përputhje mjaft e afërt me Sars-in”.
Top Channel