Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me kreun e Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, dhe bashkëpunëtorët e tij, ku diskutuan sa i takon situatës ekonomike në vend.
Në një postim në Facebook, Basha shkroi:
“Mungesa e konkurrencës së lirë, korrupsioni endemik, burokracitë, taksat e larta dhe shpenzimet buxhetore jo të orientuara në shërbim të nevojave reale, por shpeshherë në kontrata dhe projekte inefiçente, mbeten shqetësimet kryesore të industrialistëve shqiptarë. Gjatë bisedës me Administratorin e Përgjithshëm të Konfindustrisë (Konfederata e Industrive të Shqipërisë), z. Gjergj Buxhuku dhe bashkëpunëtorët e tij, ndamë jo vetëm shqetësimet e situatës ekonomike dhe financiare të bizneseve, por edhe vizionin e përbashkët mbi zhvillimin ekonomik të vendit gjatë viteve të ardhshme. Konkurrenca e pandershme, përfshirja në ekonominë shqiptare të parave me origjinë të dyshimtë, mungesa e politikave mbrojtëse të prodhimit vendas, aksesi i ulët në kreditimin e ekonomisë, mungesa e sigurisë juridike në respektimin e kontratave dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale ishin kryefjala gjatë bashkëbisedimit tonë.”
Më tej shtoi:
“Ky bashkëbisedim shërbeu për të diskutuar mbi planin tonë ekonomik, të cilin po e përshtasim me realitetin e ri ekonomik të krijuar për shkak të pandemisë COVID-19. Ulja e taksave, thithja e investimeve të huaja, bashkëpunimi me biznesin, i cili në filozofinë tonë konsiderohet si punëdhënës dhe jo thjesht si taksapagues do të jenë prioritet. Respektimi i sigurisë juridike e gërshetuar me politika të qëndrueshme fiskale dhe rregullatore do të jenë boshti kryesor i platformës tonë. Implementimi i taksës së sheshtë 9%, eleminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve do të jenë faktorë vendimtar në parandalimin e konkurrencës së pandershme në treg.”
Për ta përmbyllur me:
“Reformat tona do të jenë të qarta, konkrete dhe të realizueshme. Vetëm kështu do të mund të fuqizojmë ekonominë dhe industrinë vendase, do të hapim vende të reja pune dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve.”
Top Channel