Tirana kaloi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pas barazimit të padëmshëm 1-1 në Lezhë ndaj Besëlidhjes, në fushën e së cilës zbriste me sigurinë që i jepte triumfi i thellë 5-1 në përballejne parë. Bardheblutë zhvilluan një lojë mesatare pa shumë sforcim fizik madje vuajtën golin e Xhorxheviç në stadiumin Brajan Filipi, para se talenti Ernest Muçi të barazonte përfundimisht 1-1 në transfertë.
Një vend në gjysmëfinale do të ketë dhe Kukësi që bindi ndaj Apolonisë 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në Elbasan Arena. Skuadra e trajnerit Shehi prishi ekuilibrat me kokë me anë të Lulajt, i pambuluar në qendër të zonës së fierakëve. Pa shkuar në pushim sulmuesi Vasil Shkurtaj krijoi avantazhin më komod. Një asist perfekt i dha Etemit mundësinë për golin e tretë para se Apolonia të firmoste dhe rrjetën e nderit, madje dhe për këtë iu desh një penallti.
Teutës i duhej një barazim pa gola ndaj Vllaznisë që mund ta çonte në gjysmëfinale pas barazimit në ndeshjen e parë në Shkodër 2-2. Durrsakët e bënë këtë për 76 minuta, por me pasigurinë që i ofronte ndalesa e brishtë, guxuan dhe u shpërblyen me Arapin, ndërsa miqtë luajtën për një pjesë loje në inferioritet numerik.
I fundit që preu biletën për në gjysmëfinale ishte Bylis pas një ndeshjeje të luftuar fort, por edhe me episode thuajse komike në Korçë. Suksesi 1-0 në sfidën e parë i impononte miqve një lojë të kujdessshme por ata vuajtën golin e Mensah në fraksionin e parë. Pa shkuar në pushim, arbitri Jorgji akordoi penallti për Bylisin, por në mënyrë të çuditshme e anuloi. Pritjet e portierit Miraka mbajtën miqtë në lojë, deri kur Malçi në golin e parë si profesionist, i dha kualifikimin ballshiotëve.
Top Channel