Faktori ndërkombëtar i ka kërkuar politikës kosovare që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por Vetëvendosja nuk e pranon vendimin dhe për këtë do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Faktori ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e tyre me mision në Kosovë, u bëjnë thirrje përfaqësuesve politikë që ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e hapi rrugën për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Kështu thuhet në një deklaratë të drejtueses së Zyrës së BE-së/PPBE dhe krerëve të misioneve të BE-së në Kosovë. “Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si parim kyç i sundimit të ligjit, ne ftojmë të gjithë aktorët politikë të Kosovës që ta zbatojnë atë. Tani i takon Kuvendit që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës. BE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.

“Ky vendim është përtej imagjinatës”

Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, e quajti të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin që i hap rrugën në këtë rast Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ta formojë qeverinë e re. Albin Kurti, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cilësoi siç tha “jashtë çdo logjike juridike”. “Nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat e tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, shkroi Kurti në reagimin e tij, duke u munduar të sqarojë se “në tekst dhe nëntekst të vendimit nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese”.

“Mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë. Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë”, shkroi Albin Kurti, partia e të cilit në zgjedhjet e fundit doli e para, por u rrëzua me një mocion mosbesimi nga partneri i koalicionit LDK. Vetëvendosja kërkoi zgjedhje të reja, ndërsa, partia që u rendit e dyta LDK, po thotë se ka siguruar një shumicë të re parlamentare dhe mund ta bëjë qeverinë e re.

Ndërkombëtarët: Të respektohet vendimi

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon ka thënë se të gjitha palët duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë formimit të një qeverie të re në krye me Avdullah Hotin. “Të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, s’ka alternativë tjetër. Vetëm zgjedhjet mund të ndryshojë përbërjen e Kuvendit. Tashmë përgjegjësia e Avdullah Hotit është të përpiqet të marrë shumicën në Kuvend dhe të formojë një qeveri stabile për Kosovën”, shkroi në twitter Cramon.

Edhe i ngarkuari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kërkoi nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re. Grenell thotë se “mezi pret që të punojë me Qeverinë e Kosovës”.

“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në një komunikatë për medie të lëshuar nga Richard Grenell. Që nga emërimi në pozitën e përfaqësuesit special të SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Grenell ka qenë kritik ndaj qeverisë Albin Kurti, sidomos për qendrimin e Kurtit ndaj tarifës 100% për mallrat e Serbisë dhe reciprocitetit ekonomik që e vendosi ndaj Serbisë.

Sidoqoftë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partnerët e saj të koalicionit thanë se janë në pritje të publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që më pas ta thërrasin seancën e jashtëzakonshme për ta formuar qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin. Sipas tyre fillimi i javës së ardhshme Kosovën, do ta gjejë me qeveri të re. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta, ndërsa, vendimin e Gjykatës Kushtetuese që për ta është i papranueshëm, thonë se do ta dërgojnë në Komisionin e Venecias./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA