Kompania amerikane e bioteknologjisë, Novavax, filloi testimin në njeri të vaksinës kundër koronavirusit dhe tha se në korrik pret rezultatet paraprake mbi efektivitetin dhe sigurinë e saj.
Novavax tha se faza e parë e testimit klinik ka nisur në 130 pjesëmarrës të shëndetshëm, të moshës 18 deri në 59 vjeç, në Australi.
Faza e dytë pritet të zhvillohet në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe të vlerësojë imunitetin, sigurinë dhe reagimim e sëmunjdes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, në një gamë më të gjerë të moshave.
Dhjetëra vaksina tashmë janë në fazat e hershme të testimit, sidomos në SHBA, Evropë dhe Kinë.
Është ende e paqartë nëse ndonjëra prej tyre do të funksionojë kundër koronavirusit, i cili ka infektuar afro 5.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 346,000.
Secila vaksinë përdor teknologji të ndryshme për të nxitur një përgjigje imune.
Eksperimenti i Novavax-it përdor atë që quhet teknologji nanopartikulesh rikombinuese.
Top Channel