Mbyllja e vitit akademik 2019-2020/ Ministrja Shahini komunikim me rektorët: Deri më 15 maj sjellin planet e tyre të detajuara

04/05/2020 20:18

“Urdhri për marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020 kërkon nga universitetet që të fillojnë një planifikim urgjent dhe serioz për mbylljen e vitit akademik në kushte të jashtëzakonshme në të cilat po punojmë”, fillon video-mesazhin e saj Ministrja Besa Shahini, të publikuar tashmë në rrjete sociale.

“Situata me përhapjen e koronavirusit të ri në Shqipëri po shkon drejt përmirësimit nga dita në ditë, por nuk jemi ende plotësisht jashtë rrezikut”, shprehet ajo teksa nënvizon se çfarëdo hapje e pjesshme e universiteteve duhet gjithsesi të përcillet me protokolle strikte të ruajtjes së shëndetit të studentëve dhe pedagogëve. Për këtë arsye, Ministrja Shahini thekson se “kemi kërkuar nga universitetet që të planifikojnë se cilat janë ato lëndë që do të mbyllen plotësisht online – pra nuk do të kenë nevojë të kthejnë studentë fare në auditorë apo laboratorë; sa është numri i studentëve që kanë nevojë të kthehen në auditorë e laboratorë për punë të ndryshme para provimeve; dhe sa është numri i saktë i studentëve që do të bëjnë provime gjatë korrikut dhe fillim-gushtit të këtij viti – gjithmonë duke prioritizuar studentët që do të diplomohen”.

Në këtë kuadër, Ministrja Shahini në video-mesazhin e saj shprehet se universitetet do të sjellin këto plane dëri më datë 15 maj dhe shton:
“Pastaj ne, në koordinim me MSHMS bëjmë edhe verifikimet e fundit për të parë nëse po plotësohen kushtet dhe kriteret për ruajtjen e shëndetit të studentëve dhe pedagogëve gjatë kësaj kohe kur duhet të punojnë në objektet e universiteteve”.

“Nuk ka paqartësi”, nënvizon Znj. Shahini duke shprehur gjithashtu se ditët e sotme ka zhvilluar edhe një komunikim me rektorët e universiteteve publike.

“Të gjithë kanë filluar nga puna tashmë për të bërë këto plane. Po organizojnë gjithë punën në kuadër të universiteteve të tyre përkundër një keq-interpretimi të qëllimshëm dhe kaotik të opozitës gjatë kësaj fundjave, po duket se universitetet nuk janë të paqarta dhe kanë filluar nga puna në mënyrë që të japin shërbimin më të mirë dhe sa më cilësor, të cilin studenti i tyre e meriton”, mbyll mesazhin e saj Ministrja Shahini.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA