Duke i dalë kundër guvernatorëve dhe ekspertëve ligjore, Donald Trump deklaroi se presidenti ka autoritetin e plotë të lehtësojë masat kufizuese ndaj pandemisë së koronavirusit dhe të rihapë ekonominë.

“Fuqia e presidentit është totale, guvernatorët këtë e dinë”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se do të ketë megjithatë bashkëpunim me shtetet. Por ekspertët ligjorë thonë se presidenti nuk e ka fuqinë të përmbysë një kufizim të shëndetit publik të ndërmarrë në nivel shtetëror apo lokal. Guvernatorë nga të dyja partitë gjithashtu u përgjigjën me shpejtësi, duke thënë se përgjegjësia e tyre kryesore kushtetuese është siguria publike në shtetet e tyre dhe se ata do të vendosnin se kur do të jetë e sigurt heqja e kufizimeve dhe rikthimi normal i operacioneve.

Vetë Trump nuk ofroi ndonjë të dhënë specifike në lidhje me burimin e autoritetit të tij ose planin e tij për të rihapur ekonominë. I shqetësuar mbi pasojat e krizës së shëndetit publik por dhe asaj ekonomike, kreu i shtetit amerikan i përkrahu rekomandimet federale për distancimin shoqëror, që përfundojnë në fund të muajit. Por guvernatorët dhe drejtuesit lokalë kanë qenë ata që kanë vënë kufizime të detyrueshme, përfshirë mbylljen e shkollave dhe mbylljen e bizneseve jo thelbësore. Presidenti Trump tha të hënën se ai së shpejti do të vendosë nëse do të rihapë ekonominë Shtetet e Bashkuara pasi ekspertët e shëndetit shprehen optimizëm se më e keqja e pandemisë së koronavirusit në vend së shpejti mund të kalojë.

Në Shtetet e Bashkuara, 42 nga 50 guvernatorët e shteteve kanë vendosur urdhëra për të qëndruar në shtëpi ndërsa virusi po përhapet në të gjithë vendin. Trump rekomandoi distancimin shoqëror të amerikanëve deri në fund të prillit, por tani po shqyrton mundësinë e rihapjes së plotë ose të pjesshme të vendit më 1 maj. Ndërsa raportimet e mediave në Shtetet e Bashkuara kanë sugjeruar se vendimi për heqjen e kufizimeve është përgjegjësi e guvernatorëve të shteteve, Presidenti tha në Twitter, “Duhet kuptohet plotësisht se kjo është e pasaktë.”

Top Channel