Rachel Brummert nga Scharlotte në Karolinën e Veriut, ka qëndruar për tri javë në vetëizolim, por pavarësisht kësaj, është infektuar me koronavirus.
Gruaja nuk ka dalë nga shtëpia, ndaj beson se e vetmja mënyrë për ta marrë virusin ka qenë nga qeset e ushqimeve që kishte porositur.
“Nuk jam sëmurur ndonjëherë kaq keq, dhe jam e tmerruar”, ka thënë Brummert, e cila vuan nga një çrregullim autoimunitar. Pikërisht për shkak të gjendjes së saj delikate shëndetësore, Rachel kishte zgjedhur karantimin e plotë. Deri edhe i shoqi qëndronte në një dhomë të veçantë. Por gruaja që I sillte ushqimet tek dera, rezultoi pozitive. Rachel thotë se nuk e ka prekur atë në asnjë moment, ndaj dyshimi i vetëm që ka bie tek qeset e plastmasit.
“Mendoja se po e bëjë çdo gjë sipas rregullave”, u shpreh ajo e tronditur. “Kam kaluar plot gripëra më parë, dhe ky nuk është grip”, shtoi gruaja që tani druhet për jetën e saj. Në SHBA deri më tani kanë humbur jetën mbi 22 mijë persona si pasojë e infeksionit me COVID-19.
Top Channel