E premtja e mirë/ Pashkët katolike, si asnjëherë më parë

10/04/2020 13:15

Kjo është e premtja e mirë, që në të gjitha komunitetet katolike po kalohet ndryshe nga çdo tjetër.

Kishat do të jenë të zbrazura, dyert e tyre do të jenë të mbyllura dhe nuk do të ketë as këngë kishtare në ditën që shënon kryqëzimin dhe vdekjen e Jezu Krishtit. Por, kjo nuk do të thotë që meshat nuk do të mbahen. Në Vatikan psh, eventet do të transmetohen online për audiencën globale dhe do të arkivohen madje edhe për tu parë më vonë. Mijëra kisha në të gjithë botën po bëjnë të njëjtën gjë. Në Singapor, disa pastorë kanë regjistruar në avancë mesazhet e tyre në të premten e mirë.

Në Australi, katedralja e Shën Marisë në Sidni, do të transmetojë edhe një meshë në vigjiljen e pashës por edhe meshën e të dielës së pashkës, live në televizion.
“Asnjëherë më parë, në kohët moderne, kisha katolike nuk ka qenë kaq e zbrazur dhe e privuar nga traditat tona të pasura liturgjike”, thotë arqipeshkvi i Singaporit, Uilliam Goh. “Sado e dhimbshme që është, unë besoj se kjo është një periudhë e përshtatshme për ne, për të gërmuar më thellë në besimin tonë”, shton ai.

Dhe në fakt, ky muaj është më i pasuri për sa i takon festave fetare. Pashkët hebreje, një festival që zgjat normalisht një javë të tërë, kanë ditë që kanë filluar. Pas tyre vijnë pashkët katolike dhe më 23 prill, fillon edhe muaji i shenjtë i ramazanit për besimtarët myslimanë. E të gjitha këto, në kushtet e një pandemie globale, që e ka shtrënguar thuajse gjysmën e popullatës së botës në izolim.

Top Channel