Italia ka prezantuar një paket rekord stimulimi prej 400 miliardë eurosh për të ndihmuar biznesit e dëmtuar nga izolimi një mujor që ka gjasa të vijojë edhe për shumë javë të tjera.

Kryeministri Giuseppe Conte i kërkoi italianëve të tregoheshin të duruar përballë një pandemie që deri më tani ka marrë më shumë se 16 mijë e 500 jetë njerëzish në vend dhe që ka lënë me miliona njerëz të paktën përkohësisht të papunë.

“Ne së shpejti do të shohim një pranverë të re për Italinë, por për momentin ne duhet të qëndrojmë në shtëpi”, tha lideri italian në një fjalim në televizion.

Programi i shtohet 340 miliardë eurove hua të mbështetura nga qeveria, të njoftuara muajin e kaluar.

“Me një dekret që sapo është miratuar ne do të japim një ndihmë të menjëhershme prej 400 miliardë eurosh kompanive tona, të vogla, të mesme apo të mëdha: 200 milionë euro do të jenë për tregun e brendshëm, për të financuar tregun e brendshëm, dhe 200 miliardë euro do të jenë për të mbështetur eksportet”.

Konte tha se kjo ishte ndërhyrja më e fuqishme në historinë e vendit. Emergjenca shëndetësore e Italisë është edhe një emergjencë ekonomike dhe sociale- tha konte. Qeveria ka bërë të ditur po ashtu se do të ndërmarrë hapa për të mbrojtur edhe kompanitë italiane të dobësuara nga kriza ekonomike në mënyrë që ato të mos lihen pas nga konkurrentë të huaj.

Italia po sheh një rënie të rasteve të reja të koronavirusit ditët e shkuara dhe numri i viktimave po stabilizohet ngadalë. Por të hënën, pati një rritje tjetër, me 636 viktima të regjistruara ndërkohë që një ditë më parë shifra ishte 525. Për ekspertët, rënia është një e dhënë e rëndësishme që mund të çojë me gjasa drejt zbutjes së izolimit strikt të vendit. Por ata edhe tërheqin vëmendjen se është ende herët për të ndryshuar strategjinë dhe për të ulur vigjilencën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA