Më pak raste në Korenë e Jugut/ Vendi që kreu më shumë teste gjatë shpërthimit të epidemisë

23/03/2020 12:20

Koreja e jugut ka raportuar numrin më të ulët të rasteve të koronavirusit të ri që kur shkalla e infektimeve arriti kulmin, katër javë më parë, duke ndezur shpresën se shpërthimi më i egër në Azi, pas Kinës, mund të jetë duke u mundur.

Vendi regjistroi 64 raste të reja të Covid 19 në 24 orët e fundit duke e çuar totalin në 8961 me 111 viktima. Por zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë se nuk duhet rënë pre e vetë kënaqësisë duke thënë se vendi ende përballet me një luftë të gjatë kundër infeksionit.

Vendi ka parë dy valë infektimesh, me të parën që nisi më 20 janar, me rastin e parë të konfirmuar, dhe e dyta me infektime në masë mes një sekti fetar. Tani ekziston frika se rastet e importuara mund të shkaktojnë një valë të tretë. Qeveria planifikon të instalojë rreth 20 pika testime të shpejtë në aeroportin Incheon për të përshpejtuar procesin e kontrollimit të të gjithë të ardhurve nga Evropa. Procedurat e reja të hyrjes nisën të dielën. Deri më tani, 152 persona kanë mbërritur në vend duke shfaqur simptomat e virusit dhe priten rezultatet e testimeve të tyre.

Në fakt kjo frikë po konkretizohet në kinë, ku rastet e brendshme të regjistruara në 24 orët e fundit kanë qenë zero por ato të importuara, ishin 39.

Qeveria në Korenë e Jugut, i ka dërguar ndërkohë mesazhe paralajmëruese gjatë fundjavës duke i kërkuar njerëzve të qëndrojnë larg vendeve që kërkojnë prani masive si kisha, salla karaokesh, klube nate dhe palestra. Ajo po ashtu i ka kërkuar liderëve fetarë të kontrollojnë temperaturën e ndjekësve të tyre dhe ti mbajnë ata të paktën dy metra në distancë gjatë cço shërbimi. Një numër kishash tani përballen në fakt me padi penale për shkak të shkeljes së udhëzimeve.

Top Channel