Kompania që zotëron Google, Alphabet, i ka kërkuar stafit të saj në Amerikën e Veriut, të punojë nga shtëpia në mënyrë që të reduktohet përhapja e mundshme e koronavirusit.
Javën e kaluar gjiganti teknologjik i dërgoi një memo stafit në të cilën rekomandonte që punonjësit në shtetin e Uashingtonit të punonin nga shtëpia. Tani, ajo ka zgjeruar këtë rekomandim duke i kërkuar rreth 100 mijë punonjësve, në 11 zyra në SHBA dhe Kanada, të punojnë nga shtëpia. Alphabet është kompania më e fundit që e ndërmerr një hap të tillë ndërsa rastet e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara janë rritur në thuajse 1 mijë.
Për shkak të masave parandaluese dhe për mbrojtjen e Alphabet dhe komunitetit të saj të gjerë, ne ju rekomandojmë të punoni nga shtëpia nëse roli juaj e lejon këtë – shkruhej në njoftim. Alphabet tha se zyrat e saj në Amerikën e Veriut do të mbeten të hapura për ata që puna i kërkon në vendin e tyre.
Javën e shkuar, Google, bashkë me shumë kompani të tjera të mëdha teknologjike, mes të cilave Apple, Amazon, Mikrosoft dhe Facebook, nisën të rekomandonin që stafi në Seattle të punonte nga shtëpia pasi koronavirusi u përhap në Uashington. Shteti kishte më shumë se 160 raste të konfirmuara të martën.
Kalifornia dhe Nju Jorku, ku Alphabet ka zyra të mëdha, presin po ashtu një rritje të numrit të rasteve. Deri më tani, një punonjës në Amazon dhe një tjetër në Facebook, janë diagnostikuar me koronavirusin. Edhe shefi i Apple, Tim Cook, më herët i kërkoi punonjësve në disa zyra globale të punonin në distancë e po ashtu ka bërë edhe Twitter.
Top Channel