Ditën e djeshme është publikuar një raport i OKB-së në të cilin thuhej se Shqipëria në vitin 2100 nuk pritet të ketë më shumë se 512 mijë banorë dhe të dhënat sipas raportit ishin bazuar te INSTAT.
Instituti i Statistikave ka reaguar ditën e sotme duke dhënë edhe sqarim për të dhënat dhe shprehet se ai raport është bërë në vlerësime të pasakta.
Sqarim për Media:
Tiranë, më 15 Janar 2020: Duke u nisur nga disa artikuj dhe lajme në media referuar një studimi të OKB dhe projeksionit me disa skenarë mbi popullsinë shqiptare, vlerësimet e të cilit në disa raste janë kombinuar me të dhëna të pasakta, burimi i të cilave thuhet të jetë INSTAT, duhet të sqarojmë se: Duke qenë se migracioni është një fenomen dinamik, që do të thotë se të larguarit e një viti janë potencial për migracion kthimi gjatë një viti të mëpasshëm, sikundër mund të jenë imigrantët potencial për emigrim sërish në vitet në vijim.
Në këtë mënyrë, nuk mund të mblidhen numrat e estimuar të emigrantëve / imigrantëve gjatë viteve, në këtë rast 2011-2018, pasi ky total numëron të njëjtin person disa herë.
Definiconi bazë në linjë me regulloret e Eurostat mbi të cilin INSTAT bazohet për llogaritjen e popullsisë banuese është ai i Vendbanuesit të Zakonshëm. (referoju – Regulation (EU) No 1260/2013 of the European Parliament and of the Council of 20 November 2013 on European demographic statistics si dhe Regulation (EC) No 862/2007 of the European Parliament and of the Council of 11 July 2007 on Community statistics on migration and international protection and repealing Council Regulation (EEC) No 311/76 on the compilation of statistics on foreign workers, OJ L 199, 31.7.2007, p. 23-29).
Vendbanues i zakonshëm: Vendbanuesit e zakonshëm janë të gjithë personat të cilët janë banues të zakonshëm në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë së tyre Numri i Emigrantëve në vitin 2018 është 38.703 duke pësuar një rënie me 3 % krahasuar me një vit më parë. Po të shikojmë trendin gjatë periudhës 2011-2018 numri i emigrantëve ka pësuar rënie.
Po të krahasojmë numrin e emigrantëve në vitet 2011 viti i censit të fundit të popullsisë me vitin 2018, rezulton se ka një rënie të këtij numri me 30%. Nga ana tjetër, numri i imigrantëve (shqiptarë që kthehen ne vend) në vitin 2018 është 23.673 banorë, duke pësuar një rënie me 5,3 % krahasuar me një vit më parë. Gjatë periudhës 2011-2015, numri i imigrantëve ka pësuar rënie dhe në vitin 2015 kemi numrin më të ulët të imigrantëve. Në vitet 2016 dhe 2017 numri i imigrantëve ka pësuar rritje vjetore me 10,6% dhe 8,4%.
Në vitin 2015, migracioni neto (të ardhurit – të ikurit) ka qenë -20.600, ndërkohë në vitin 2018 kjo shifër ka rënë në -15.030, duke reflektuar një trend rënës gjatë gjithë këtyre viteve. INSTAT përdor metoda indirekte për llogaritjen e stokut të migracionit ndërsa për vlerësimin e flukseve vjetore përdoren module specifike në anketat pranë familjeve.
Këto module janë të mirë konceptuar dhe ndërtohen bazuar në definicionin e Vendbanues i zakonshëm në mënyrë që të mund të vlerësohet numri i emigrantëve dhe imigrantëve në një vit të caktuar. Ju lutem këtë sqarim ta publikoni në median tuaj si qëndrim zyrtar të INSTAT ndaj këtyre artikujve.
Top Channel