“Lodra” u thye mbrëmjen e mallkuar të 5 Nëntorit kur lojtarët u rebeluan ndaj vendimit ndëshkues të shoqërisë për t’i mbyllur ata në grumbullim dhe tani është bërë në një mijë copa, që askush nuk po arrin t’i bashkojë sërish.
Nuk ia doli Carlo Ancelotti, që u shkarkua pas fitores me Genk dhe nuk po i bashkon dot as Genaro Gattuso, pasi Napoli ka kaluar tashmë nga “sëmundja e rëndë” në “gjendje kome” dhe pasojat po shihen nga java në javë, ndërsa tani edhe vendi i katërt largohet gjithmonë e më shumë.
Ndeshja e djeshme në mbrëmje përballë Interit nxori në pah limitet e Insignes me shokë, të kushtëzuar edhe nga gabimet e shumta në mbrojtje, ndërsa “San Paolo” është shndërruar në një “ferr” ku Napoli nuk fiton që prej 19 tetorit.
Një mbrëmje për t’u harruar, e shënuar nga numri 3, si 3 golat e shënuar nga Interi, si 3 gabimet në rastet e golave nga Di Lorenzo, Meret dhe Manolas dhe 3 si numri i humbjeve radhazi para publikut napolitan, diçka që nuk ndodhte që prej vitit 2000, kur trajner ishte Zdenek Zeman.
Gattuso po jep gjithçka dhe po përpiqet të injektojë grintën e luftëtarit te futbollistët e tij, por bllokimi psikologjik që ka prekur lojtarët napolitanë, duket një mur i pakapërcyeshëm akoma.
Deri tani Napoli ka pësuar 25 gola në kampionat, që janë shumë për një skuadër që u ndërtua për të synuar titullin kampion dhe për më tepër, shumica kanë ardhur për shkak të gabimeve individuale dhe mungesës së ekuilibrit, ndërsa vetëm në sulm shihen copëza të lojës së mirë.
Siç e tha edhe vetë Gattuso mbrëmë, ‘Fabian Ruiz nuk arrin të mbulojë të gjithë zonën e tij, ndërsa Zielinski lëviz shumë pak kur topin e ka në zotërim kundërshtari’ dhe në këtë mënyrë napolitanët nuk arrijnë të ruajnë ekuilibrin e nevojshëm taktik.
Mesfushori spanjoll duket shumë i shpërqendruar nga zërat e merkatos, por gishti nuk mund të drejtohet vetëm nga ai, pasi dyshja e mbrojtjes Koulibaly-Manolas nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët, ndërsa Lozano në sulm duket ende si “një peshk pa ujë”, që përpëlitet pa ditur se çfarë duhet të bëjë.
Aktualisht i vetmi që nuk po stonon te napolitanët është sulmuesi polak Arkadiuz Milik, që po shënon rregullisht dhe të njëjtën gjë bëri edhe mbrëmjen e djeshme ndaj Interit, por nuk mund t’ia dalë i vetëm “të heqë gështenjat nga zjarri” gjithmonë.
Dhe për më tepër, të shtunën në mbrëmje napolitanët i pret një tjetër test “i zjarrtë” në “Olimpico” përballë Lazios, që është skuadra më në formë në Itali, me 9 fitore radhazi dhe fituese e freskët e Superkupës së Italisë.
Gattuso shpreson shumë në shkëndijën e duhur që mund ta nxjerrë skuadrën nga tuneli ku është zhytur, ndërsa sfida me Lazion mund të jetë edhe “treni i fundit” që mund të rihapë shpresat e napolitanëve për një vend në zonën Champions.
Marrë nga Sportmediaset.it
Top Channel