Liverpool i thotë lamtumirën Kupës së Ligës pasi u eliminua në çerekfinale të kompeticionit pasi u mposht nga Aston Villa me rezultatin e thellë 5-0. Skuadra e The Reds është në një situatë të paprecedentë teksa për shkak të kalendarit të ngjeshur u desh të ndahej në 2 skuadra.
Ndërsa lojtarët kryesorë ndodhen në Doha për Botërorin e Klubeve ku sot do të luajnë gjysmëfinalen me Monterrey, ndaj Aston Villës zbriti në fushën e lojës një Liverpool me futbollistë shumë të rinj në përbërje ndërkohë që në stol në vend të Klopp ishte Neil Critchley.
Fillimi i ndeshjes ishte premtues nga Të Kuqtë e vegjël, që zhvilluan disa aksione të mira në zonën e Aston Villës duke shfaqur shumë dëshirë në fushën e lojës. Por pas 14 minutash gjërat ndryshuan. Aston Villa mori avantazhin me Hourihane duke i dhënë një goditje jo të lehtë futbollistëve të rinj të Liverpoolit ku më i vjetri në moshë ishte Pedro Chirivella 22 vjec e 6 muaj.
Por pas 3 minutash autogoli i Boyes e përkeqësoi akoma më shumë gjendjen edhe pse Të Kuqtë e vegjël u përpoqën të shfaqnin krenarinë e tyre në fushë. Kodjias në çastet e fundit të pjesës së parë çoi shifrat në 4-0 dhe historitë e kësaj sfide ishin praktikisht të mbyllura. Në fundin e takimit Wesley fiksoi shifrat 5-0 për Aston Villën në një përballje që do të kishte më shumë kuptim të luhej në një moment tjetër.
Top Channel