U emërua trajner i parë i Tiranës përkohësisht, por Emanuel Egbo udhëhoqi bardheblutë drejt suksesit në derbi, që mungonte që prej shkurtit të vitit 2014. Bardheblutë vinin pas shkarkimit të dy trajnerëve radhazi, por me Egbo në pankinë u pa një qetësi për t’u admiruar dhe një grintë e madhe nga ana e të gjithë futbollistëve.
Vetë tekniku i bardhebluve, në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport, deklaroi se sot i kishte pëlqyer shumë shpirti i skuadrës, ndërsa zbuloi edhe çfarë ju tha lojtarëve para fillimit të ndeshjes.
Një fitore historike, pasi është e para në ndeshjen e parë në këtë stadium… Çfarë i keni ndryshuar kësaj Tirane, në këtë kohë të trazuar?
Nuk kam bërë asgjë, por çunat kanë qenë të bashkuar nga minuta e parë, deri te minuta e fundit. Unë u kam thënë para ndeshjes, që duhet të fitojmë, pasi kemi shumë vite që nuk ia dalim, por duhet të kemi durim dhe të presim kohën e duhur për të shënuar. Lojtarët mu përgjigjën mirë në fushën e lojës dhe jam shumë i kënaqur.
A është brenda objektivave Tirana?
Ne sot morëm një fitore dhe jemi tre pikë larg kreut, ndaj kampionati është ende i gjatë dhe kemi më shumë se dy faza për të luajtur. Tirana është brenda objektivave të saj.
Si ju duk atmosfera në stadiumin e ri?
Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme dhe unë do të doja të isha futbollist sot dhe të luaja, gjë që ua thashë edhe futbollistëve. Në këtë stadium kam luajtur edhe unë derbin e parë si futbollist i Tiranës dhe u kërkova çunave të japin shpirtin.
Duhej të ndodhnin kaq shumë gjëra, për t’u rikthyer në normalitet Tirana?
Nuk mund të jap një përgjigje të saktë për këtë, por unë them që sot luajtëm në shtëpinë tonë dhe na ndihmoi edhe zoti për të marrë fitoren. Filozofia jonë është të marrim ndeshjet me radhë dhe të provojmë të arrijmë objektivat. Shpresoj t’ia dalim.
Top Channel