Rrugëtimi i Hell’s Kitchen Albania 2 ka mbërritur në puntatën e pestë. Në këto javë emocionet, tensioni, formulat e garës, intrigat, humori, lotët e surprizat kanë qenë të shumta.

Në natën e parë ishin 14 konkurrentë të përzgjedhur, por vetëm 12 prej tyre vazhduan rrugëtimin në kuzhinën e ferrit. Largimi i Klodianit dhe Liries që në fillim të garës, sigurisht që premtonte shumë të paprtitura për netët në vijim.

Ka ndodhur pikërisht kështu, pasi që në javën pasardhëse shef Renato dhe shefi i restorantit, Juli, u kanë ngritur një kurth djemve duke u vendosur një qime në pjatë. Këtë gjë ata e bënë mbrëmjen kur të ftuar do të ishin disa nga gazetarët më të njohur në Shqipëri. Kjo gjë i përballi djemtë me një zgjedhje të veshtirë: duhej të gjenin e kujt ishte qimja dhe fajtori duhej të qethej zero ose do të ishin të gjithë në nominim për tre javët e ardhshme. Për t’i shpëtuar tre eliminimeve rradhazi nga skuadra blu, Rezarti dhe Arditi u sakrifikuan për skuadrën e u qethën zero.

Ky moment ka sjellë të qeshura tek publiku por në të njëjtën mbrëmje ka patur edhe shumë tension. Shef Renato ka përjashtuar menjëherë njërin prej konkurrentëve, Zamirin, ndërsa në fund të po asaj nate ka futur në kuzhinë si një konkurrent më shumë Sokolin, kamarierin zevzek që kritikonte gjithçka që bënin konkurrentët.

Në natën pasardhëse, disa nga konkurrentët janë përballur me fobitë e tyre, pasi shefi u caktoi si sfidë të rradhës prekjen me duar dhe gatimin e gjallesave si ngjalat e gaforret. Kristina e mposhti fobinë ndaj ngjalave që i ishte krijuar në kohën kur një gjarpër i pickoi babain e saj dhe rrezikoi jetën e tij. Edhe Marsela pasi u përlot e mposhti frikën ndaj ngjalave që e kishe pa asnjë shkak. Pas shumë kundërshtimesh edhe Rezarti e kapi gaforren që i kallte datën.

Jo më pak surprizuese ka qenë edhe nata e katërt, e cila ka nisur me një “blind test” në sfidën e parë. Në përfundim të këtij testimi, shefi ka surprizuar Amarildën duke i dhënë të shijojë e të gjejë përbërësit e pjatës që ajo gatuan më shpesh për dy fëmijët e saj, të cilat ajo i ka rritur e vetme mes shumë sakrificave, pas humbjes së të shoqit.

Në restorant ka pasur shumë të ftuar, mes të cilëve edhe blogeret e fushatës “prano veten”, të cilat erdhën të shijonin picat e Hell’s Kitchen duke përcjellë edhe mesazhin e fushatës së tyre.

Në episodin e fundit të transmetuar deri tani, shefi i ka ngarkuar konkurrentët të gatuajnë salçiçe duke i mbushur vetë ato. Përveç tensionit të kuzhinës, konkurrentët nuk kanë mundur të mbajnë dot të qeshurat mes provokimeve që bënin me njëri-tjetrin.

Në këtë mbrëmje të ftuarit, SteelWings, që erdhën nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, kanë shijuar ushqimet e Hell’s Kitchen nën ritmet e muzikës së Gjergj Kaçinarit e bandës së tij, të cilët performuan live në restorant.

Çdo javë ka qenë ndryshe nga të mëparshmet! Të eliminuar, hyrje të reja, përjashtime, qortime, të qeshura e lot ka pasur në këto pesë javë. Sigurisht që të tjera emocione e surpriza mbeten ende për tu parë, çdo të premtë në ekranin e Top Channel, ora 21:00.

FOTO GALERI
5/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA