“Kemi ndalur përparimin e Rusisë”/ Ish-komandanti ukrainas zbulon humbjet e Moskës dhe paralajmëron Europën: Përgatituni për luftë
Aktorja amerikane Selma Blair është arrestuar dhe dërguar në spital të dielën, më 11 tetor, pas një incidenti në bordin e një avioni të kompanisë Delta Airlines, që fluturonte nga Los Angeles drejt Nju Jorkut.
Sipas mediave amerikane, ajo dyshohet se sulmoi dy stjuardesa, duke i kafshuar, si dhe tentoi të hapte derën e avionit.
Autoritetet e aeroportit ndërhynë pas një njoftimi për një pasagjere që kishte ushtruar dhunë fizike gjatë fluturimit. Dy anëtare të ekuipazhit mbetën të plagosura, ndërsa njëra prej tyre u dërgua në spital.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, incidentet vijuan edhe pasi aktorja u nxor nga avioni. Gjatë transportimit me ambulancë drejt spitalit, Blair dyshohet se goditi disa herë me shqelm në kokë një oficer policie të Autoritetit Portual.
Më pas, në spital, ajo dyshohet se sulmoi edhe një infermiere, e cila ngriti padi për incidentin.
Sipas “Page Six”, aktorja përballet me dy akuza federale për sulm, ndërsa për ngjarjet e dyshuara ndaj oficerit të policisë dhe infermieres janë ngritur akuza në nivel shtetëror. FBI-ja po heton incidentin.
Në një deklaratë për BBC-në, zëdhënësi i Blair tha se aktorja kishte përjetuar një urgjencë mjekësore, e cila çoi në sjelljen e dyshuar. Sipas tij, pas uljes së avionit, ajo mori menjëherë ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Delta Airlines konfirmoi se autoritetet ndërhynë pas mbërritjes së fluturimit në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në Nju Jork. Kompania theksoi se incidenti nuk ndikoi në fluturim dhe se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet përparësia kryesore.
Selma Blair, 54 vjeçe, është e njohur për rolet e saj në filmat “Cruel Intentions”, “Legally Blonde” dhe “Hellboy”. Në vitin 2018, ajo bëri të ditur se ishte diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë.
Top Channel