Princi Harry dhe Meghan rikthehen në angazhimet publike në Britani, zbulohet ku do të kalojnë Krishtlindjet

13/10/2026 09:15

Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, pritet të zhvillojnë angazhimin e tyre të parë të përbashkët publik në Mbretërinë e Bashkuar që nga kthimi i tyre në vend në fund të gushtit, raportojnë mediat britanike.

Sipas gazetave, përfshirë “The Sunday Times”, Duka dhe Dukesha e Sussex do të udhëtojnë të enjten drejt Nottinghamit, në Anglinë qendrore, qytet ku ata u shfaqën për herë të parë së bashku në publik pas njoftimit të fejesës në vitin 2017.

Gjatë vizitës, çifti pritet të ndalet në tri organizata lokale që mbështesin të rinjtë përmes muzikës, filmit dhe sportit, si dhe angazhohen në luftën kundër varfërisë.

Ndërkohë, mediat britanike raportojnë se Harry dhe Meghan nuk pritet të marrin pjesë në mbledhjen tradicionale të Krishtlindjeve të familjes mbretërore në rezidencën e mbretit Charles III në Sandringham, në lindje të Anglisë. Duke cituar një burim pranë çiftit, “The Sunday Times” shkruan se ata do t’i kalojnë festat në Kaliforni.

Që nga kthimi në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, pas gjashtë vitesh në Shtetet e Bashkuara, Harry dhe Meghan kanë mbajtur një profil relativisht të ulët publik.

Princi Harry ka vijuar të marrë pjesë në aktivitete bamirësie, duke mbështetur organizata dhe kauza të ndryshme, ndërsa Meghan vazhdon të zhvillojë markën e saj të stilit të jetesës.

Rikthimi i çiftit në angazhimet e përbashkëta publike në Britani vjen në një kohë kur marrëdhëniet e tyre me familjen mbretërore vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave.

Top Channel