“Pemët e gështenjës në lulëzim” rikthehet pas 60 vitesh, piktura e Van Gogh del në ankand për 180 milionë dollarë

13/10/2026 13:16

Qindra njerëz u rreshtuan të martën në Hong Kong për të parë nga afër një pikturë të Vincent van Gogh, e cila nuk ishte ekspozuar publikisht për më shumë se gjashtë dekada.

Vepra pritet të dalë në ankand më 18 nëntor në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s në Nju Jork, me një vlerë të parashikuar shitjeje prej 180 milionë dollarësh.

Piktura, e titulluar “Pemët e gështenjës në lulëzim”, u realizua në maj të vitit 1890 dhe konsiderohet ndër krijimet më të rëndësishme të periudhës së fundit të jetës së artistit holandez. Në atë kohë, Van Gogh jetonte në fshatin Auvers-sur-Oise të Francës, ku ndërroi jetë rreth dy muaj më vonë, në moshën 37-vjeçare.

Sipas Scott Nitchel, kreut të departamentit të artit modern dhe bashkëkohor në Sotheby’s në Nju Jork, vepra ka potencialin të thyejë rekordin e ankandit për një pikturë të Van Gogh-ut. Ai e përshkroi atë si një krijim që pasqyron optimizmin, energjinë, entuziazmin dhe ngjyrat e gjalla që karakterizonin këtë periudhë të artistit.

Piktura paraqet një gështenjë të madhe në lulëzim, me një kurorë të dendur që zë pjesën më të madhe të kompozimit.

Mes vizitorëve në Hong Kong ishte edhe 50-vjeçari Li Shanshan, i cili udhëtoi për rreth dy orë e gjysmë nga qyteti kinez i Shenzhen-it për të parë veprën. “Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për këtë pikturë, kështu që doja ta shihja me sytë e mi”, u shpreh ai.

Vepra do të dalë në ankand së bashku me 11 piktura të tjera që nuk janë ekspozuar publikisht prej një kohe të gjatë. Koleksioni përfshin krijime të artistëve të njohur Paul Cézanne dhe Claude Monet. Pesë prej tyre u prezantuan në Sotheby’s në Londër në fund të shtatorit, mes tyre “Harlequin” e Cézanne dhe “Kopshti i Qeramikës” e Monet.

Historia e pikturës

Pas vdekjes së Van Gogh-ut në korrik të vitit 1890, piktura kaloi në zotërim të vëllait të tij, Theo, dhe më pas të bashkëshortes së këtij të fundit, Johanna van Gogh-Bonger, si dhe djalit të tyre, Vincent Willem.

Më vonë, vepra u ble nga botuesi gjerman Samuel Fischer, themeluesi i shtëpisë botuese S. Fischer Verlag, përpara se të kalonte në koleksionin e kompozitorit dhe producentit amerikan George “Buddy” DeSilva, një prej bashkëthemeluesve të Capitol Records.

Në vitin 1953, piktura u ble nga koleksionistja Harriet Harris-Jonas, e cila zotëronte një koleksion të rëndësishëm arti. Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork kishte organizuar edhe vizita për mbështetësit në apartamentin e saj në Fifth Avenue, për të parë veprat që ajo zotëronte.

Në vitin 1975, piktura u ble nga familja Blackie përmes tregtarit të artit Wildenstein. Që prej asaj kohe, ajo ka qëndruar larg syve të publikut, deri në prezantimin e saj në Hong Kong, përpara ankandit të shumëpritur në Nju Jork.

Top Channel