Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka deklaruar se kjo parti do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij në bazë të votave të rregullta, atyre të diasporës dhe votave me kusht Nisma, ka arritur të ketë 5.017 përqind.

Sherifi në një konferencë për media u shpreh se nuk do të pranojnë kurrfarë rezultati që do të vije nga votat e ardhura nga Serbia, pasi sipas tij janë vota kriminale.

“Nisma Socialdemokrate ka arritur të grumbullojë rreth 42 mijë vota, nga votat e diasporës totali prej 13 mijë e 195 vota Nisma ka marrë 915 apo 6.95 përqind të votave. Nga votat me kusht dhe nga ato të personave me nevoja të veçanta, nga 25 mijë 461 vota Nisma ka arritur t’i merr 1401 vota apo 5.55 përqind. Rëndësi e këtyre rezultateve është se në procesin e rinumërimit Nisma ka arritur nga 844 kuti të rinumëruara të ketë 5.5 përqind, pra nëse kemi parasysh që nga votat e diasporës ka arritur 6.9, nga votat me kusht ka arritur të ketë 5.5 përqind dhe nga votat e kutive të rinumëruara po ashtu 5.5 përqind, Nisma në total nga votat e rregullta dhe të vlefshme, koalicioni ynë ka arritur të bëhet pjesë e Kuvendit të Republikës duke arritur shifrën prej 5.017 përqind të votave”, tha ai.

Ai tha se insistojnë që votat e ardhura nga Serbia të mos trajtohen nga KQZ, pasi sipas tij ato kanë ardhur në mënyrë ilegale, janë dërguar në QNR për t’u numëruar pa asnjë vendim paraprak.

Sherifi tregoi se Nisma ka bërë ankesë në PZAP për këtë çështje, ku tha se nga ky institucion janë këshilluar se kjo ankesë është bërë e hershme. Për këtë ai tha se do të respektojnë këtë këshillë të PZAP-së.

Sekretari i Nismës u shpreh se duke e pasur parasysh trendin e Nismës, kanë arsye të kërkojnë rinumërimin e tërësishëm në të gjithë Kosovën. Derisa ka theksuar se kushdo që tenton që përmes votave, siç i ka quajtur ai kriminale, të hedh poshtë vullnetin e 42 mijë votueseve, do të ballafaqohet me ligjin.

“Ne insistojmë që këto vota të cilat janë mbushur në mënyrë kriminale, çdo gjë e jashtëligjshme është kriminale. Pra nëse janë mbushur në mënyrë të jashtëligjshme, janë kriminale, kanë ardhur në Kosovë në mënyrë kriminale, janë futur në sistem në mënyrë të paligjshme. Insistojmë që këto vota në asnjë mënyrë, këto zarfe që pretendojnë të kthehen në vota të vlefshme, të mos trajtohen nga KQZ-ja”, tha ai.

Ai ka ftuar prokurorinë që të hapë hetime për të gjetur se kush i ka mbushur votat e ardhura nga Serbia. Ndërkaq, ka ftuar edhe partitë politike që kanë përfaqësues në KQZ, që të mos heshtin karshi, siç ka thënë ai, krimit që po bëhet me votat nga Serbia.

“Jemi të gatshëm të pranojmë çdo rezultat që derivon nga votat e rregullta, qofshin nga diaspora, qofshin nga votat me kusht, qofshin nga personat me nevoja të veçanta, jemi të gatshëm të pranojmë çdo rezultat. Nuk jemi të gatshëm dhe nuk do të pranojmë rezultat që derivon nga vota kriminale”, tha Sherifi.

Ai u shpreh se nuk do të ndalen derisa drejtësia të fitojë dhe se do të ndjekin të gjitha instrumentet ligjore, raporton KosovaPress.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA