Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit shprehu zhgënjimin për mos-hapjen e negociatave nga Bashkimi Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një seancë të Komisionit të Jashtëm të Senatit, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer tha se emërimi i tij dhe i të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell është shenjë e angazhimit amerikan në rajon. Siç njofton kolegia Keida Kostreci ai iu shmang përmendjes së afateve të veçanta për arritjen e një marrëveshjeje.
Toni i seancës së Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë duket se u përcaktua shumë larg Uashingtonit, nga zhvillimet e fundit që përfshinë zgjedhjet në Kosovë dhe pamundësinë e rënies dakord të vendeve të BE-së për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer me dështimin e vendeve anëtare të BE-së për të miratuar hapjen e negociatave për anëtarësimin e me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë javën e kaluar në Bruksel. Megjithëse ne nuk jemi anëtarë të BE-së, jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian se të dyja vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm në reforma”, tha zoti Palmer.
Zyrtari i lartë amerikan tha se ky vendim dërgon sinjalin tek vendet e tjera se dera për ne BE është mbyllur, rrezikon gërryerjen e besueshmërisë së BE-së dhe krijon një boshllëk udhëheqjeje që Rusia, Kina dhe të tjerë janë mëse të gatshëm ta mbushin. Por për zotin Palmer pasojat mund të jenë të ndjeshme edhe për perspektivën e bisedimeve Prishtinë Beograd.
“Vendimi përcjell mesazhin e gabuar tek Beogradi dhe Prishtina dhe mesazhi është: mund të bëni gjëra të vështira, mund të bëni zgjedhje të vështira, mund të arrini kompromis dhe në fund të fundit t’ju mohohet rruga përpara drejt Evropës”.
Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vendet e Bashkimit Evropian për ta ndryshuar atë mesazh. Në seancë nuk u përmend ndonjë afat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Por …
“Në presim që qeveria e re e Kosovës të demonstrojë angazhimin për objektivat e përbashkëta duke hequr tarifat ndaj mallrave serbe dhe boshnjake që kanë dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë nga fushata për të delegjitimuar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar”.
Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që përbën normalizim të plotë, që është shumë dimensionale. Sa për idenë e ndryshimit të kufijve…
“A do të jenë apo jo kufijtë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, u takon palëve të vendosin nëse kjo është një zgjidhje e pranueshme”.
Por zoti Palmer e njohu realitetin e ri politik në Kosovë kur tha se partitë politike fituese të zgjedhjeve në Kosovë e kanë bërë të qartë se nuk duan të flasin për çështjen e ndryshimit të kufijve. Ai tha se zgjedhjet e 6 tetorit ishin të rëndësishme për Kosovën, pasi do të sjellin qeverinë e parë që nuk drejtohet nge ish pjesëtarë të UÇK-së:
“E shoh si impuls nga ana e popullit të Kosovës për ndryshim. Dhe është e kuptueshme. Ka një shkallë të lartë zhgënjimi nga ana e popullit të Kosovës me gjendjen se ku ndodhen, si izolimi ndërkombëtar, stanjacioni ekonomik dhe dështimi I qeverive të Kosovës për të mbajtur angazhimet dhe premtimet për të luftuar korruspionin dhe krimin”.
Por ai bëri thirrje që Kosova ta formojë së më shpejt qeverinë.
Disa nga pyetjet përfshirë nga senatori demokrat, Chris Murphy kishin të bënin me disa spekullime lidhur me faktin që Shtëpia e Bardhë caktoi të dërguarin e posaçëm të Richard Grenell për bisedimet Kosovë-Serbi, pas emërimit të vetë zotit Palmer si të dërguar të Ballkanit.
“Emërimi im nga Sekretari Pompeo dhe emërimi i ambasadorit Grenell nga Presidenti, tregon angazhimin nga ana e administratës, nga ana e Shteteve të Bashkuara, për të rritur profilin tonë në rajon, për t’i treguar rajonit që jemi të pranishëm që jemi partnerët e tyre, që jemi të gatshëm që të investojmë kapital politik dhe përpjekje, energji dhe për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara”.
Edhe ekspertët që dëshmuan, i pranuan sfidat e mbetura në rajon.
Analisti Janusz Bugajski, tha se megjithë përparimin e konsiderueshëm 25 vitet e fundit rajoni nuk mund të konsiderohet i sigurt derisa të eliminohen gjendja jofunksionale në Bosnje-Hercegovinë, ngrirja e bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe bllokimi nga ana e Bashkimit Evropian.
“Mungesa e zgjidhjes së tyre, i komplikon problemet e rajonit, që janë të dukshme tek stanjacioni ekonomik, korrupsioni i zyrtarëve, paqendrueshmëria sociale, tensionet etnike dhe rrjedhjet e popullsisë”.
Majda Ruge e Universitetit Johns Hopkins thotë se zgjidhja e këtyre problemeve shkon përtej përfitimeve të vetë vendeve.
“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë një interes strategjik i Shteteve të Bashkuara, pasi paqendrueshmëria në Ballkan përbën rrezik të madh për vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.
Pjesëmarrësit në seancë ishin dakord se roli i Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm për të mbështetur vendet e rajonit në rrugën euro-atlantike. Zoti Palmer tha se ky angazhim ekziston. Por sfidat e shumta, përfshirë pasigurinë se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm nga Prishtina dhe Beogradi dhe mungesa e konsensusit në BE, e bëjnë të vështirë që të parashikohet dinamika në vendet e rajonit dhe hapat e mëtejshme në të ardhmen e afërt./ VOA
Top Channel