Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar sot që të jap “PO”-në, për ngritjen e Prokurorisë Speciale AntiKorrupsion, SPAK.

Mbledhja e cila ishte parashikuar të zhvillohej mesditën e së hënës, u shty për shkak se anëtari i KLP-së, Besnik Cani, deklaroi se nuk ishte njohur me materialet që ishin parashikuar të diskutoheshin.

Pika kryesore e kësaj mbledhjeje të KLP, pritej të ishte diskutimi për ngritjen e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion SPAK.

Aktualisht për strukturën e posaçme hetimore, janë pikëzuar vetëm 8 kandidatë të cilët kanë kaluar vettingun, nga 22 kandidatë që ishin në total. Sipas kushtetutës, ngritja e SPAK kërkon jo më pak se dhjetë prokurorë për të nisur punën me dosjet e para.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja,  i ka kërkuar publikisht kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimit, që SPAK duhet të ngrihet brenda këtij viti. Ai po ashtu i ka thënë Ibrahimit që të shfrytëzojnë kuadrin ligjor, duke parashikuar ngritjen e SPAK, me 8 prokurorët të cilët kanë kaluar të dyja shkallët e vettingut, ndërsa dy të tjerët për të plotësuar dhjetëshen, të jenë prokurorë të përkohshëm ose të komanduar.

Top Channel ka mësuar se anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, janë të ndarë përsa i përket ngritjes së SPAK me formulën 8, plus dy të komanduar apo emëruar.

Një pjesë e konsideron si shkelje të kushtetutës, ndërsa pjesa tjetër i qëndron faktit që kuadri ligjor e mundëson ngritje e strukturës hetimore edhe me këtë formulë.

Megjithatë, KLP, pritet të njoftojë sipas ligjit se kur do të mbahet mbledhja e radhës, në të cilën do të mësohet nëse SPAK do të marrë një PO nga anëtarët me formulën 8+2, apo do të pritet për pjesën tjetër të prokurorëve të cilët nuk kanë dal përpara vettingut.

Kujtojmë se një nga kushtet e Gjermanisë për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë, ka qenë ngritja brenda vitit e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA