“Koha për reforma të thella”, akademiku Fuga me 20 propozime për ndryshimin e sistemit politik: Kufizimi i mandatit të Kryeministrit, deputetët të zgjidhen nominalisht nga populli
Nga Sefer Selimi Jr.
Si fëmijë, në vitet 1991–1992, kam jetuar me familjen në Shqipëri, në Fushë-Mbret të Elbasanit. Ishin vitet kur nga Maqedonia sillnim kripë e sheqer. Kur qumështi ishte luks, ndërsa buka me vaj e sheqer ishte ushqimi më i zakonshëm dhe njëkohësisht më i shijshmi.
Që atëherë, pas hapjes së kufijve, prindërit e mi si shumë të tjerë, me një kokëfortësi të admirueshme refuzonte ofertat e resorteve all-inclusive në Turqi, Greqi apo gjetkë, për t’i qëndruar besnik turizmit shqiptar.
Turizmit të “dhomave me qira”, që reklamoheshin si 100 metra larg detit në cep të rrugës nga pronarët, por që kërkonin 20 minuta ecje për të mbërritur. Pa kondicioner. Me dyshekë që nga viti në vit bëheshin pak më të mirë. Në plazhe ku derrat, lopët e gomarët ende e konsideronin bregdetin si territorin e tyre, jo tonin si turistë.
Dhe ne shkonim. Çdo vit. Të paktën një herë.
Kam ndjekur për vite të tëra një ndjenjë dëshpërimi që na rëndonte në zemër: si ishte e mundur që gjithë ai potencial që natyra ia kishte falur Shqipërisë të mbetej i pashfrytëzuar? Si ishte e mundur që një vend me aq bukuri të mos arrinte të bëhej një destinacion turistik dinjitoz, i aftë të konkurronte me fqinjët e vet?
Por Shqipëria ndryshonte. Vit pas viti.
Me gjithë të metat, me gjithë pengesat, me gjithë krizën e përhershme që dukej sikur e ndiqte, Shqipëria shtynte përpara. Me kokëfortësi.
Sa herë që parashikohej dështimi i saj, ajo hidhte një hap përpara.
Me Berishën. Me Nanon. Me Ramën.
Nga brenda, e shtyrë nga energjia e një populli që kishte dalë nga izolimi pesëdhjetëvjeçar. Nga jashtë, e rrethuar nga cinizmi dhe përçmimi i atyre që e projektonin si një histori të destinuar për të dështuar.
Por Shqipëria vazhdonte të ecte.
Edhe kur të tjerët prisnin të rrëzohej.
Sot, Shqipëria ka aeroportin më të frekuentuar në Ballkan, duke lënë pas qytete e kryeqytete që dikur për Tiranën dukeshin të pakapshme.
Sot, Shqipëria thyen rekorde turistike vit pas viti dhe renditet mes destinacioneve që tërheqin vëmendjen globale, përkrah vendeve me traditë shumë më të gjatë në turizëm.
Sot, në brigjet e saj ngrihen komplekse dhe resorte që konkurrojnë me ofertat më luksoze të rajonit. Dhe jo vetëm.
Sot, ajo tërheq investitorë seriozë, investime që shumë vende të rajonit do të donin t’i kishin për vete.
Po, Shqipëria ka ende sfida. Ashtu siç ka pasur gjithmonë.
Nëse historia e saj na ka mësuar diçka, është se ajo nuk ndalet.
Ajo ecën.
Ecën edhe kur të tjerët dyshojnë.
Ecën edhe kur të tjerët parashikojnë dështimin.
Ecën, sepse gjithmonë ka ecur.
Dhe pikërisht për këtë, Shqipëria është një histori suksesi.
Top Channel