E pabesueshme por e vërtetë, Zvicra thyen rekordin 60-vjeçar për gjuajtje, por përfundon në makth në sekondat e fundit

14/06/2026 00:22

Një dështim që do të peshojë gjatë në memorien e kombëtares zvicerane.

Pavarësisht dominimit total dhe një “bombardimi” të mirëfilltë drejt portës kundërshtare, Zvicra nuk ka shkuar më shumë se një barazim dramatik 1-1 ndaj Katarit në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror.

Zvicra regjistroi plot 26 gjuajtje drejt portës përgjatë gjithë takimit, duke thyer kështu rekordin e saj historik në këtë turne. Kjo është shifra më e lartë e goditjeve në një ndeshje të vetme të Kupës së Botës për helvetikët që nga viti 1966, periudhë kur filloi edhe regjistrimi zyrtar i statistikave të këtij lloji.

Megjithatë, ky volum gjigant loje dhe mundësish nuk mjaftoi për të marrë tre pikët. Ndonëse zviceranët shpërdoruan raste të panumërta me një tregues të golave të pritshëm (xG) prej plot 3.16, ata e paguan shtrenjtë mungesën e efikasitetit përpara porte, duke u ndëshkuar në sekondat e fundit të lojës. Ky rekord historik mbetet thjesht një ngushëllim i hidhur në një ndeshje ku fitorja ishte detyrim.

Top Channel