Dyshimet për substanca të rrezikshme në Pentagon/ Alarmi rezulton i rremë, autoritetet nuk konstatuan kërcënim real për personelin

11/06/2026 18:46

Bllokimi dhe evakuimi i pjesshëm i Pentagonit u shkaktuan nga një alarm i rremë, thanë për CNN dy burime të njohura me situatën.

Më herët gjatë ditën së sotme, disa kate dhe korridore brenda ndërtesës u mbyllën, ndërsa zona të tjera u evakuuan për shkak të një incidenti të dyshuar me materiale të rrezikshme, sipas tre burimeve dhe departamentit lokal të zjarrfikësve.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se sistemet e monitorimit kishin zbuluar një problem me cilësinë e ajrit, i cili kërkonte marrjen e masave paraprake deri në përcaktimin e natyrës dhe rëndësisë së tij.

“Departamenti po zbaton protokollet standarde të sigurisë, përfshirë urdhrin për strehim në vend për zonën e prekur”, tha Parnell. “Ekipet e reagimit janë në terren dhe të gatshme për të mbështetur personelin e ndërtesës.”

Ekipi i reagimit ndaj materialeve të rrezikshme i Agjencisë së Mbrojtjes së Forcave të Pentagonit iu përgjigj incidentit me mbështetjen e Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut Arlington, sipas zëdhënësit të këtij departamenti, kapitenit Jamie Jill.

Një postim në rrjetet sociale nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjencave Mjekësore (EMS) i Arlingtonit konfirmoi se ekipi i specializuar për materiale të rrezikshme ishte angazhuar në Pentagon për trajtimin e incidentit.

Në një mesazh të shpërndarë nga ekipi i sigurisë së Pentagonit thuhej se ishte identifikuar një problem me cilësinë e ajrit dhe se nevojiteshin testime shtesë.

“Ky proces mund të zgjasë nga një deri në dy orë. Ekipet e reagimit janë në vend dhe të gatshme të mbështesin personelin nëse është e nevojshme. Personeli mund të vërejë praninë e ekipeve nga agjenci të ndryshme dhe masat paraprake që po merren në oborrin qendror. Ju lutemi të mos i keqinterpretoni këto aktivitete”, thuhej në njoftim.

Sipas burimeve, katet nga i dyti deri në të pestin në disa korridore të kompleksit të Pentagonit u mbyllën përkohësisht. Një tjetër burim tha për CNN se efektivët e policisë brenda ndërtesës mbanin maska gazi dhe pajisje të plota mbrojtëse kundër substancave kimike.

Më vonë u konfirmua se alarmi rezultoi i rremë dhe nuk u konstatua asnjë kërcënim real për sigurinë e personelit apo të ndërtesës.

Top Channel