Në një kohë kur Reforma në Drejtësi është jetësuar fjala vetting është artikuluar masivisht nga qytetarët, politika dhe ndërkombëtarët. Deri në fundin e muajit gusht 2019 kanë kaluar procesin e rivlerësimit rreth 189 subjekte, nga të cilat 69 janë vendime shkarkimi dhe 38 janë dorëheqje. Statistikisht ky është një rezultat i lartë dhe tregues i thellësisë dhe ashpërsisë së procesit të rivlerësimit. Megjithatë ky proces mbart dritëhije , sidomos në standardet e ndjekura.

“Reforma në Drejtësi Bilanci 2018-2019 nga vettingu tek jetësimi i institucionet e reja”, quhet studimi Institutit të Studimeve Politike, mbërrin në përfundimin se “praktika e vendimmarrjeve në KPK në shumicën e rasteve kanë tejkaluar kohën e parashikuar fillimisht të zgjatjes së procesit të rivlerësimit. Vettingu në nivelin e parë të kontrollit, në KPK, ka marrë 16 deri në 20 muaj kohë.

Kohëzgjatja rekord prej 20 javësh për t’i komunikuar vendimin i përket subjektit Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administratrive të Apelit.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, në një intervistë për Top Channel thotë se për herë të parë shohim njerëz shumë të pushtetshëm të pasur të fuqishëm të paprekshëm që japin llogari dhe ky është lajm i mirë për drejtësinë .

“Nga ana tjetër kemi parë edhe elementët e brendesisë së reformës dhe aty kemi parë që nuk kemi standarde të njëjta të vendimmarrjeve dhe kemi problematika të cilat mund t’i kthehen në kosto Shqipërisë në një proces në Strasburg, apo në të ardhmen. Do të thotë se jemi fokusuar vetëm tek vetting-u , kur reforma në drejtësi nuk është vetëm vetting pasi vetting-u është 1/3-ta e reformës”, thotë Krasniqi.

Kominisoneria që ka shqyrtuar më shumë çështje është Pamela Qirko me 62 raste, pasuar nga Roland Ilia me 60 raste, Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja me nga 59 raste. Ndërsa Alma Faskaj është komisioneria me më pak çështje të shqyrtuara vetëm 8.

Në raport thuhet se “midis komisionerëve ka pasur përqindje të ndryshme të rasteve të vendimeve konfirmuese në detyrë. Komisionerja Pamela Qirko në 66% të rasteve ka pasur konfirmime në detyrë të subjekteve të rivlerësimit, kryetarja e KPK Genta Tafa (Bungo) ka pasur konfirmime në detyrë në 63% të rasteve të gjykuara, Firdes Shuli ka pasur konfirmime në detyrë në 56% të rasteve të gjykuara, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine vijojnë me nga 55 dhe 54% konfirmime, etj.

Komisionerët më me pak konfirmime në detyrë, përvec rastit Faskaj, është Olsi Komiçi me vetëm 44% konfirmime në detyrë dhe Lulzim Hamitaj e Etleda Çiftja me na 48% dhe 49% konfirmime në detyrë të subjekteve të rivlerësimit.

“Prurjet në sistem janë minimale janë të njëjtët individë që konkurojnë për të gjitha postet. Tradicionalisht një pjesë e madhe janë ish zyrtarë të drejtësisë së vjetër. Dhe nëse shohim CV-t e tyre profesionale e kanë atë ndoshta më negative se e atyre që po largohen nga sistemi”, thotë Krasniqi.

Komisionerët më të ashpër të cilët kanë dhënë shkarkime të subjekteve të rivlerësimit janë  Olsi Komiçi dhe Lulzim Hamitaj, përkatësisht me 56% dhe 52%. Komisionerët me përqindjen më të ulët të vendimmarrjes për shkarkimin e subjekteve të rivlerësimit janë Pamela Qirko me 34% dhe Genta Tafa (Bungo) me 37% e të gjitha rasteve.

Me ecurinë e procesit të vettingut është pranuar jo zyrtarisht se roli i ONM është më shumë më i madh dhe më thelbësor sesa monitorimi. Numrin më ta madh të rekomandimeve për apelim e ka bërë vëzhguesi holandez, Hans Kijstra, me 3 rekomandime dhe vëzhguesja tjetër holandeze, Mia Roessingh, me dy rekomandime. Afrim Krasniqi thotë se nuk duhet të mjaftohemi me largimin e të korruptuarve nga drejtësia.

“Mendoj se SPAK do të jetë testi kryesor. Nëse SPAK funksionon, reforma në drejtësi do të ketë funksion. Nëse SPAK nuk funksionon e dështon si structure, e gjithë pritshmëria do të bjerë poshtë. Nuk është problem që të gjithë zyrtarët e larguar ishin të korruptuar ose të gjitha standardet e vlerësimit të pasurisë ishin të njëjta. Në raste specifike kur pasuria ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe e pa mbuluar do të duhej të kishte një hetim”, thotë ai.

Reforma do të ndikohet edhe nga vendimmarrja e Bashkimit Evropian mbi Shqipërinë në Tetor. Një vendim  pozitiv për Shqipërinë do të ishte një përkrahje e qartë e shumicës qytetare që kërkon një drejtësi të pastër. Nëse vendimi mbetet negativ, vala zhgënjyese dhe lodhëse do të ketë pasoja edhe në rënien e besimit tek reforma e rëndësishme, siç është ajo në drejtësi.

Muhamed Veliu

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA