Një vajzë me inicialet K.C., ka vënë në lëvizje prokurorinë dhe policinë të cilat po përpiqen të zbulojnë se si ajo u largua nga Shqipëria dhe më pas u shfrytëzua në Belgjikë për të kultivuar kanabis sativa. Nën hetim për këtë dyshim të fortë është një 36 vjeçar, i cili mendohet se përmes mashtrimit e ka marrë të renë në Belgjikë dhe më pas përmes dhunës e ka shfrytëzuar që ajo të punonte dhe t’i shërbente rritjes së kanabisit.

Vajza është e moshës 30 vjeç dhe nëse prokurorët mbledhin prova të mjaftueshme dhe vërtetojnë trafikimin e saj e për këtë qëllim, atëherë autoritetet do kenë së paku një version zyrtar të kultivimit të hashashit me llamba, jo përmes rekrutimit vullnetar, por përmes formave detyruese, sikurse është dhuna apo implikimi në rrjete trafiku i të miturve që i shërbejnë kanabisit, por që për shkak të moshës në pragun e përgjegjësisë ligjore, ata nuk arrestohen.

Burimet thonë se rekrutimi i të rinjve për të kultivuar kanabis me llamba, kryesisht në Belgjikë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, është një shqetësim real. Por edhe në Shqipëri prej së paku dy vitesh në nisjen e sezonit të mbjelljes, policia kontrollon tunele dhe objekte të pabanuara. Dhe ndërsa kultivimi i kanabisit vazhdon të mbetet një sfidë në vend, shqetësimi më i ri për autoritetet ka të bëjë me përdorimin e hashashit dhe shpërndarjen e dozave në qytete dhe në fshat.

Policia thotë se vetëm në kryeqytet mesatarisht arrestohen çdo ditë tre persona ose si shpërndarës hashashi ose që kapen në flagrancë me doza të tilla. Mes tyre ka edhe nga ata që shfrytëzojnë të miturit. J. Bocka, 27 vjeç, është shpallur në kërkim sepse siç rezulton nga dëshmia e një fëmije me iniciale E.B., ai e detyronte të shpërndante hashash pranë shkollës “Dëshmorët e Lirisë”.

Operacioni është koduar ‘Shfrytëzues’ dhe për shpërndarjen e hashashit në këtë zonë ka rënë në pranga edhe një person tjetër i moshës 17 vjeç.

Top Channel