Menjëherë pasi kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin nga detyra të kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, për djegien e KZAZ-së në këtë zonë, ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar aktin si hakmarrje politike.
Sipas Bashës, nuk ka asnjë motiv dhe arsye për shkarkimin Hilës, sepse ai nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës.
“Edi Rama ka shkarkuar sot Zef Hilën kryebashkiakun e Vaut të Dejës. Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve.
Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës.
Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkarkimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës.
Shkarkimi është një akti kriminal i një autokrati të kriminalizuar që tani po përdor forcën e pushtetit vetëm për të mbrojtur bashkësundimin e tij me krimin”, tha Basha gjatë një deklarate për mediet.
Basha: Ajo që ndodhi në Vaun e Dejës, skenar i Ramës dhe i Doshit
Po gjatë deklaratës për mediet, shefi i selisë blu tha se shkarkimi nga detyra i kreut të Vaut të Dejës nga Edi Rama është bërë për të flijuar njerëz të pafajshëm.
“Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Zef Hila është një burrë i matur, kurajoz dhe me dinjitet. Ai nuk përzihet në planet tinëzare dhe burracake të Edi Ramës kundër njerëzve të pafajshëm, sepse ajo që ndodhi në Vaun e Dejës ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin.
Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Dhe si përherë këto plane kriminale i bën dhe zbaton me të fortë dhe kriminelë.
Ne nuk do ta lejojmë këtë plan antishqiptar, që mund të ndezë përplasje të madhe kudo”, shtoi Basha.
Thirrja e Bashës për shqiptarët: Rama po reagon si bishë e plagosur. Mos u provokoni nga skenarët kriminale të Ramës!
Në fund të deklaratës për mediet, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu bëri thirrje shqiptarëve që të mos provokohen nga skenarët kriminalë të Edi Ramës, i cili po reagon si bishë e plagosur në fundin e tij.
“Ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë qytetarëve, mos bini pre e provokimeve dhe e skenarëve kriminalë të Edi Ramës dhe shpurës së banditëve të tij. Ne jemi të fortë. Ne jemi shumicë. Ne e dimë cila është rruga përpara dhe nuk ka asgjë që na kthen mbrapsht. Ne do jemi të gjithë shumë mirë. Shqipëria do të bëhet shpejt shumë mirë. Rama dhe mercenarët e tij do të jenë shumë keq së shpejti. Ata e dinë fundin e tyre, prandaj reagojnë si egërsirat e plagosura për vdekje”, përfundoi Basha.
Top Channel