Statistikat janë thjesht për histori, por precedentët vlejnë gjithmonë të shqyrtohen, sidomos përpara ndeshjeve tejet të rëndësishme si finalja e Europa League, që do të diskutohet mes Arsenalit dhe Chelseat në Baku të Azerbajxhanit.
Pikërisht kjo e fundit, fakti që derbi i Londrës do të luhet në një fushë neutrale, ka historinë e vet, që rezulton në favor të “topçinjve”. Me 3 fitore në po kaq finale të luajtura në tokën mëmë kundër Chelseat në 5 vitet e fundit, “Gunners” janë treguar më gjakftohtë sesa “blutë” në fusha asnjanëse.
Skuadra e drejtuar nga Emery bëhet kështu pretendente për fitoren e finales së Europa League të këtij edicioni. Edhe sfida e dyfishtë e sezonit që sapo u mbyll në Premier League i jep një avantazh të lehtë spondit të kuq të Londrës.
Verën e vitit 2015, finalistet e Bakusë luanin për “Community Shield” (Superkupa e Anglisë), që u fitua nga Arsenali falë golit të Oxlade-Chamberlain në minutën e 24-t. Dy vite më vonë, sërish në Londër, “blutë” mund të hakmerreshin ndaj “topçinjve”, por fituesi ishte sërish i njëjti. Chelsea u ndëshkua 4-1 pas gjuajtjes së 11-metërshave. Goli i Moses në pjesën e parë të atij takimi rezultoi i padobishëm, pasi në të dytën, Kolasinac do të barazonte shifrat.
Mes dy finaleve të “Community Shield”, “topçinjtë” triumfuan edhe një tjetër herë, po në “Wembley”, me rezultatin 2-1 në finalen e vlefshme për “FA Cup” të vitit 2017. Golat asokohe u shënuan nga Sanchez dhe Ramsey për Arsenalin, ndërsa Diego Costa për Chelsean.
Por, ajo që u jep shpresa “bluve” janë dy precedentët e këtij viti në Premier League. Një sezon gjatë të cilit dy skuadrat e ndanë “tortën” thuajse barabart, pasi në “Stamford Bridge” triumfuan vendasit 3-2, ndërsa në “Emirates Stadium” fituan “topçinjtë” 2-0.
E thënë ndryshe, nga një fitore për secilin ekip në kampionat, që do të interpretohej si një barazi totale mes rivalëve të të njëjtit qytet, megjithatë diferenca e golave favorizon sërish “topçinjtë”.
Top Channel