Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Groysman njoftoi dorëheqjen e tij. Në një deklaratë televizive, ai tha se do të largohet në takimin e ardhshëm të qeverisë, më 22 maj.
Njoftimi i tij vjen pak orë pasi Volodymyr Zelensky bëri betimin si president i Ukrainës në një seancë solemne të Parlamentit në Kiev. Më pas, ai njoftoi se do të shpërndante Parlamentin dhe se brenda dy muajve do të mbaheshin zgjedhje të reja.
Nëse ai i ka kompetencat për ta filluar këtë proces nga ana ligjore, kjo është e diskutueshme. Zelensky nuk ka shumicë në dhomat e Parlamentit, prandaj në prag të zgjedhjeve ishte parashikuar që të mbaheshin edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kryeministri Groysman, i cili është anëtar i bllokut të ish-presidentit Petro Poroshenko tha ndërkohë se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 41-vjeçari ka qenë kryeministër që nga prilli i vitit 2016. Ai ka shërbyer më herët si kryetar i Parlamentit.
Dorëheqja e tij pason ato të dy anëtarëve të tjerë të kabinetit, ministrit të Mbrojtjes Stepan Poltorak dhe shefit të Shërbimit të Sigurisë, Vasyl Hrytsak. Të dy ata dhanë dorëheqjen të hënën.
Top Channel