Alarm në Britani/ 3-vjeçari zhduket nga këndi i lojërave, policia dhe mbi 1,000 vullnetarë në kërkim të Noah
Tre persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël me një motor u rrëzua në Alpet zvicerane, në jugperëndim të vendit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Sipas policisë kantonale të Valais, avioni u rrëzua pasditen e së martës në shpatin verior të një mali në zonën Fluchalp, pranë vendpushimit malor të Leukerbad.
Të tre personat që ndodheshin në bord humbën jetën. Autoritetet zvicerane kanë nisur procedurat për identifikimin e viktimave, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura identitetet e tyre.
Avioni ishte ngritur nga Lugano, në kantonin italishtfolës të Ticinos, dhe kishte bërë një ndalesë në Sion, në kantonin e Valais.
Më pas, ai ishte nisur drejt aeroportit Buchs, në kantonin e Nidwalden, por për arsye që ende nuk dihen, u rrëzua në një zonë malore.
Përplasja ndodhi pak pas orës 16:00, sipas orës lokale. Pas aksidentit, në zonë u raportuan gjurmë tymi, ndërsa banorët vendas njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë tymin që ngrihej nga vendi i rrëzimit.
“Për arsye që ende nuk janë të qarta, avioni u rrëzua në shpatin verior të një mali në zonën Fluchalp të Leukerbad. Më pas u raportuan gjurmë tymi në zonë”, tha policia në një deklaratë.
Forcat e shpëtimit u angazhua në vendngjarje, me pjesëmarrjen e tre helikopterëve dhe dy ekipeve të specializuara të shpëtimit.
Një fotografi e publikuar nga policia lokale tregon rrënojat e avionit të shpërndara në shpatin e malit.
Autoritetet federale zvicerane kanë hapur një hetim për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të rrëzimit.
Paralelisht, po zhvillohet edhe një hetim penal nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorit Federal, në bashkëpunim me policinë kantonale të Valais.
Deri më tani, nuk është dhënë asnjë informacion për identitetin e tre viktimave dhe as për atë që i parapriu përplasjes.
Top Channel