Për komisionerin europian të zgjerimit, Johannes Hahn, imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave. Zyrtari i lartë i BE-së përpara ca kohësh e përshkruante veten si zjarrfikës dhe arkitekt të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, për DW, ai sqaroi këtë qasje të vet pas protestave të dhunshme të së shtunës në vendin tonë.

“Me këtë doja të thoja se nga njëra anë përpiqem t’i zhvilloj gjërat nga ana konceptuale e nga ana tjetër më duhet të jem edhe në rajon me shpresën për të zgjidhur ndonjë problem akut. Në rastin e Shqipërisë, dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se është perspektiva europiane motivi kryesor. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar. Kemi të bëjmë edhe me imazhin që jep Shqipëria në planin ndërkombëtar”, tha Hahn.

Dhe, a ndikon ky imazh tek vendimi i negociatave te anëtarësimit?

“Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Europian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”, vazhdoi Hahn.

Me herët ministri gjerman i shtetit  Michael Roth, u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor. Hahn theksoi se edhe ai e mbështet këtë ide, sepse sepse negociatat e anëtarësimit sipas tij ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin europian.

Top Channel