I dënuar për ‘vrasje me dashje’/ Ndërron jetë nga arresti kardiak, 73-vjeçari ishte transferuar nga burgu i Lezhës në QSUT për trajtim të specializuar
Deputetja e PS Elisa Spiropali ka reaguar një ditë përpara konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për procesin e integrimit të vendit.
Ajo ka vënë në dukje se Shqipëria po hyn në një fazë të re të rrugëtimit europian, ku kërkohet më shumë qartësi, vizion dhe përgjegjësi politike dhe shoqërore për të përmbyllur me sukses negociatat.
Postimi i Spiropalit:
Dita e Europës për Shqipërinë
Nesër Shqipëria hyn në një fazë të re të rrugës së saj europiane, me hapin e parë drejt mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, një moment që nuk ka ardhur rastësisht, por pas një rruge të gjatë përpjekjesh, përplasjesh, pritjesh, durimi dhe një besimi të vazhdueshëm se vendi ynë i përket natyrshëm familjes europiane.
Për Shqipërinë, Europa nuk ka qenë kurrë vetëm projekt politik apo diplomatik. Ka qenë dëshira për të ndërtuar një shtet më të drejtë e më demokratik, institucione më të forta, ekonomi më konkurruese dhe një shoqëri ku të rinjtë nuk e shohin të ardhmen vetëm jashtë vendit. Prandaj ky proces nuk lidhet vetëm me hapjen apo mbylljen e kapitujve teknikë të negociatave, por me atë çfarë do të thotë të jetosh si qytetar europian, me më shumë siguri juridike, më shumë drejtësi, më shumë standarde për ekonominë, më shumë lëvizje të lirë, më shumë besim për investimet dhe më shumë mundësi për brezat që vijnë.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm pasaportë europiane në kuptimin formal. Është hyrje në një hapësirë ku ligji, konkurrenca, liria dhe dinjiteti i qytetarit kanë një tjetër peshë. Dhe për një vend si Shqipëria, që për dekada e ka parë Europën si horizont shprese dhe normaliteti, kjo rrugë mbetet një nga arritjet më të mëdha historike të shtetit shqiptar.
Por pikërisht sepse jemi pranë këtij momenti, Shqipërisë i duhet më shumë se entuziazëm. I duhet qartësi. I duhet guxim politik dhe qytetar. I duhet një platformë e saktë shtetërore dhe shoqërore për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë, një vizion i detajuar për institucionet, drejtësinë, ekonominë, arsimin, administratën dhe lirinë, që vendi të mos hyjë në Europë i befasuar nga standardet e saj, por i përgatitur për to me vetëdije të plotë.
Dita kur Shqipëria do të ndezë fishekzjarrët e anëtarësimit nuk duhet të jetë fundi i një rruge, por duhet të jetë dita kur Shqipëria është gati, pa frikë dhe pa improvizim, të ulet natyrshëm në tryezën e konfederatës së kombeve europiane.
Top Channel