Në parkun natyror të Zagorisë dhjetëra pemë arrash shumëvjeçare janë prera gjatë 2 javëve të fundit. Pas alarmit të dhënë nga banoret e fshatit Topovë dhe Sheper reaguan edhe zyrtarët. Sipas kreut të Drejtorisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura , Gligor Dushi kompania që realizoi prerjen është në ndjekje penale.
“Ka një konflikt sepse Bashkia ia ka dhënë lejen për të prerë disa pemë dhe ai e ka tejkaluar masën. Për prerjet që janë bërë jashtë kësaj mase, ai do të mbajë përgjegjësi ligjore”, tha Gligor Dushi.
Një prej mjeteve të transportit u ndalua në luginën e Çajupit. Megjithëse arrat gjendeshin në territor privat dhe nuk janë pjesë e fondit pyjor sipas Inspektoratit miratimi për prerjen duhej mbështetur nga disa institucione pasi trungjet të vlerësoheshin si të thatë apo të degraduar.
Kreu i Inspektoratit të Mjedisit, Dino Selimi tha se pas verifikimit do vazhdohet me inspektimin dhe do bashkëpunohet me drejtorinë e Zonave të Mbrotjura dhe Bashkinë.
Megjithëse ishte Bashkia e Libohovës që autorizoi prerjen dhe transportin, në Prokurori është depozituar një padi edhe prej Bashkisë për këto kompani private. Bashkia sqaron se lejet janë dhënë për shkak të mosnjohjes së mirë të kompetencave, ndërsa e akuzon kompaninë se është shtrirë me prerjet jashtë territorit të autorizuar dhe se nuk ka prere vetëm pemët e thata.
Top Channel